English

Sezoni turistik, u hiqen xhamat e zinj 82 automjeteve

Gjirokastër, 4 qershor 2011, NOA – Me nisjen e sezonit turistik policia e Gjirokastrës ka nisur operacionin e koduar “Siguria e jetës” që synon garantimin e pikave turistike, qendrave të banuara dhe rritjen e sigurisë në rrugët e vendit.

Objekt i masave të bluve të Gjirokastrës në operacionin triditor ishte heqja e xhamave të zinj të automjeteve, vjelja e gjobave të prapambetura, vënia e gjobave për parkimet e gabuara në qytet si dhe plotësimin e dokumentacionit të automjeteve.

Falë këtij operacioni, policia e Gjirokastrës bën me dije se u janë janë hequr xhamat e zinj 82 automjeteve, ndërkohë që secili drejtues i automjeteve është gjobitur me 5000 lekë gjobë.

Gjithashtu janë vendosur 108 masa administrative për parkimet e gabuara dhe për mosvendosjen e rripit të sigurimit.

Policia e qytetit informon se janë hequr 5 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe përdorim të pijeve alkoolike.

Ndërkohë janë bllokuar 7 automjete për mangësi dokumentacioni si dhe janë vjelë 765 masa administrative të prapambetura.

Uniformat blu të qytetit të gurtë do të vijojnë planin e masave, një plan që do të shtrihet jo vetëm në Gjirokastër dhe akset rrugore të këtij qyteti, por edhe në Tepelenë e Përmet, që përfshihen në qarkun Gjirokastrës.

mit/NOA

KOMENTE