English

Shteti i telefonave

Anila Basha

Kur më thanë se Kolegji Zgjedhor i dha të drejtë Lulzim Bashës për fitoren e zgjedhjeve në Tiranë, fillimisht, qëndrova ftohtë. Mendova: Po ç’do më bëjë mua Basha apo Rama në krye të Bashkisë? Do ma përmirësojnë jetën? Ka pesë vite pallati im që ka përfunduar, unë hipotekën e shtëpisë ende nuk e kam marrë. Ishte Rama kryetar bashkie. Tani do jetë Basha. Mundet që në 15 nëntor, hipotekën ta kem në dorë dhe kjo më gëzon gjithsesi se e premtoi kandidati i PD.

Por, nuk mund të mos ndalesh në një tjetër lloj reflektimi. Të ndalësh në jetët tona, të gjithsecilit, për atë që kemi, për atë që duam dhe për shtetin që duam të respektojmë e të nderojmë.

As nuk prisja që anëtarët e kolegjit zgjedhor të hidhnin ndonjë hap për të zbatuar ligjin. A e dini pse? Po e nis nga vetja ime. Punova drejtore e Gazeta Shqiptare për katër vitet e fundit. Për 10 vitet e fundit kam qenë në pozicione të ndryshme në këtë gazetë, nga gazetare, tek zv.kryeredaktore më pas kryeredaktore e në fund drejtore. Karrierën e kam nisur 18 vjeç që kur i hyra rrugës së gazetarisë. Nuk ma dhuroi në fakt, askush. Kam punuar me mund, ditë e natë. Bëja dhe punën e atyre që nuk donin ta bënin duke menduar se të vërtetat, duhet të thuhen, sado të dhimbshme të jenë ato. Prindërit e mi shqetësohen pa masë. Për shkak të qëndrimeve dhe fakteve, gjysma e popullatës të lexon dhe të uron (dhe i falenderoj të gjithë për solidaritetin), ama është gjysma tjetër që të shan, deri aty, ku njeriu nuk mund të fyhet. Por këto janë çështje blogjesh, çështje inatesh, çështje paragjykimesh. 20 vite pas ardhjes së demokracisë, ne vuajmë nga kjo.

Ajo që nuk më çuditi është vendimi i atyre gjyqtarëve. A e dini pse? Këtu te ne nuk ka shtet. Shteti funksionon me telefona. Sa je drejtore, merr dikë, pa një letër, pa një shkresë, pa një procedurë dhe gjithçka është në favor apo disfavorin tënd. Por edhe une u shkarkova me një telefonatë. Nuk më erdhi koka vërdallë, sepse e prisja. Por me një telefonatë të fshij nga jeta 15 vjet të jetës sime? Këtë nuk ia fal dot kujt, as atyre që e bënë një veprim të tillë. Janë njerëz të veshur me pushtet, që mendojnë për një cast e për një moment, se mund të të blejnë personin. Harrojnë se mendja dhe shpirti nuk blihet dot.

Ndjej keqardhje për ata gjyqtarë që kanë shitur shpirtin e mendjen e tyre. Gjatë këtyre ditëve, nuk kam dëgjuar asnjë konstitucionalist, njerëz të ligjit, që ti japin të drejtë një vendimi të tillë të kolegjit zgjedhor. Dhe më vjen keq që e kanë shitur shpirtin e tyre për të mos zbatuar ligjin. Mua vërtet më hedhin poshtë 15 vite të të qenurit gazetare vetëm me një telefonatë, por unë jam ende shumë e re. Jetën e kam përpara. Atyre gjyqtarëve i kanë hedhur poshtë gjithë jetën e tyre profesionale dhe me sa kam parë dhe me sa i kam njohur janë njerëz që janë në fund të karrierës së tyre.

Por unë nuk tërhiqem, as nga telefonat që erdhën për shkarkimin tim. Nuk duhet të tërhiqet askush, ndryshe, do të tregonim se shteti ynë ka falimentuar. Askush nuk na mbron dot më. Ndoshta edhe ata të shkretë gjyqtarë janë vonuar disa orë, apo ditë për të dhënë verdiktin e tyre. Kanë edhe ata procedurë shkarkimi. Sepse ata, tani e shitën shpirtin e ligjin. Dhe jo si ne të gjithë.

KOMENTE
  • Hetem Lita03:27 - 05 Qershor 2011
    Me hidherim ne shpirte e buzqeshje ne buze.jeni nga ata qe vrisni prinderit tuaj per pushtet.ashtu si e nise ashtu e perfundove te shterpen karjere . Me nje fjale gorja duhet te lehi per shtepin qe I jep buke.Me vjen keq qe se kupton demokracin ajo te thot leje aty ku ste pelqen dhe shko atje ku pelqen. Per sa I perket lulit ah sikur te kishna edhe dinga opozita te tille
  • Anizel22:47 - 04 Qershor 2011
    ....Anila të falënderoj dhe të uroj me shpirt për sinqeritetin dhe të vërtetën e këtyre fjalëve.....JAM ME TY....duhet të reflektojë secili nga ne,të gjykojë me logjikën e mendjes,të së vërtetës dhe të ligjit...drejtësia të triumfojë...ajo s'duhet të ketë frikë nga askush....