Korçë, 4 qershor 2011, NOA Update– Fatbardha Aliko, e cila u gjet e vdekur në dhomën e maternitetit të Korçës do të ekzaminohet nga mjekësia ligjore për të mësuar arsyen e vdekjes së saj. 49-vjeçarja nga fshati Borsh-Devoll ishte shtruar prej dhjetë ditësh në maternitetin e Korçës ku ishte operuar për diagnozën e Fibromyome Uteri.
Sipas mjekëve operacioni i realizuar dhjetë ditë më parë kishte dalë me sukses.
Mjekët thanë se edhe pas rikontrollit të bërë mëngjesin e sotëm gjendja e saj shëndetësore rezultoi e mire, ndaj mbetet sipas tyre e paqartë arsyeja se si ajo ndërroi jetë menjëherë pasi u ngrit nga shtrati për të kryer nevojat e saj personale.
Blutë e Korçës kanë nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e vdekjes së Fatbardha Alikos.
Policia ka mësuar nga dëshmitë e familjarëve se ajo kishte dalë nga operacioni në gjendje të mirë e pa asnjë komplikacion.
Aktualisht trupi i të ndjerës ndodhet në morgun e qytetit ku pritet t’i bëhet autopsia për të zbardhur shkaqet e vërteta të vdekjes.
mit/NOA