Shkup, 5 qershor 2011, NOA – Pak pas përmbylljes së procesit të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni ku garojnë edhe shtatë parti shqiptare, BDI e Ali Ahmetit, partia favorite në këto zgjedhje deklaroi se zgjedhjet e 5 qershorit janë fitore e trefishtë për vendin dhe sidomos për shqiptarët.
“Në këto zgjedhje kemi arritur që të kemi tre fitore: Një fitore për të gjithë shqiptarët, për demokracinë në Maqedoni dhe një fitore të madhe për BDI-në”, deklaroi për mediat zëdhënësja e BDI-së Ermira Mehmeti-Devaja.
Ajo theksoi se “BDI ishte e përcaktuar thellësisht për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, ku qytetarët shprehën vullnetin e tyre në mënyrë të lirshme, pa kërcënime dhe shantazhe”.
Mehmeti tha ndërkaq se tashmë po vijon numërimi i votave, duke bërë me dije se BDI po përpunon informacionet.
BDI paralajmëroi se deri para mesnate presin të shpallin rezultatin paraprak se si do të jetë përbërja e re parlamentare.
Lidhur me akuzat e PDSH-së së Menduh Thaçit, zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti-Devaja sqaroi se “qytetarët shqiptarë e njohin shumë mirë edhe kulturën politike dhe demokratike të BDI-së, ashtu siç njohin dhe kujtojnë shumë mirë kulturën dhe traditën e PDSH-së. Asnjë koment tjetër nuk është i nevojshëm në këtë ditë festive për shqiptarët”, nënvizoi ajo.
Ndërsa Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) e Menduh Thaçit falenderoi zgjedhësit, të cilët dhanë votën në zgjedhjet e sotme për këtë subjekt politik.
Zëdhënësi i PDSH-së, Luan Tresi deklaroi se “zgjedhjet kanë kaluar në një atmosferë të qetë dhe demokratike, me përjashtim të disa incidenteve në Shkup, fshatrat e Shkupit si dhe në komunat Zajaz dhe Osllomej”.
“Njoftojmë opinionin se funksionarë të BDI-së dhe grupe të tyre u futën me dhunë në disa vendvotime, ku kanë kërcënuar dhe kanë shkaktuar incidente dhe parregullsi gjatë procesit të votimit”, bëri me dije zëdhënësi i PDSH-së.
Ai falenderoi gjithashtu edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, ndërkohë që i bëri thirrje simpatizantëve të PDSH-së që të mos festojnë për aq kohë sa nuk janë konfirmuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme.
NOA/INA