E diel, 5 qershor 2011, NOA- Një tjetër paketë ndihme për Greqinë e kërcënuar nga falimentimi, sipas një artikulli të revistës informative “Der Spiegel”, mund të përmbajë më shumë se 100 miliardë euro. Ekspertë të Ministrisë gjermane të Financave, të Komisionit të BE-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe FMN-së e konsiderojnë të mundshëm këtë volum ndihme, nëse Athina do të jetë e varur nga ndihma e huaj edhe në 2013 dhe 2014. Revista i referohet titujve shtetërorë grekë të borxhit, për të cilët në vitin 2014 është i nevojshëm një financim i ri.
Sipas “Spiegel” sekretari i shtetit për financat Jorg Asmussen, ka bërë të qartë në një takim me funksionarë të lartë të eurozonës, se një ndihmë e mëtejshme për Greqinë është e mundur vetëm nëse edhe investuesit privatë janë të gatshëm të heqin dorë nga një pjesë e pretendimeve të tyre. Pa pjesëmarrjen e sektorit privat nuk do të ketë miratim nga parlamenti federal gjerman dhe pa këtë miratim nuk do të ketë program të ri ndihme, ka deklaruar Asmussen.
DW/NOA