English

I riu nga Shkodra, vrasje për një “Like” në Facebook, historia rrënqethëse

Pasioni i të riut nga Velipoja ndaj rrjetit social Facebook e shtyu fillimisht drejt një vrasjeje dhe tani, në duart e policisë

Ekskluzive NOA - Djali 26 vjeçar nga Velipoja në rrethin e Shkodrës, i shtyrë nga pasioni ekstrem për Facebook, ka arritur të vrasë vetëm për një “Like”. Por ndonëse ka dashur t’i fshihet policisë, është zbuluar me një faqe tjetër që kishte hapur dhe para pak orësh është prangosur.

Athinë, 5 Qershor 2011 NOA – Krim dhe ndëshkim në Facebook. Dhe kur pasioni i qëndrimit online në një rrjet social kthehet në mani, përfundon edhe vetë aty ku ruhesh mos biesh, në qeli.

Kjo i ka ndodhur të riut shqiptar Nikolin M., një 26 vjeçar nga Velipoja në rrethin e Shkodrës. Vitin e kaluar më 8 maj 2010, ai i mori jetën duke lënë të vdekur, shtetasin grek Apostolos K. Sot, është zbuluar e gjithë skema e ngjarjes deri dje e veshur me mister, dhe Nikolini është arrestuar. I riu u arrit të shtihej në dorë nga policia, pasi një skuadër speciale e krimit teknologjik dhe antikrimit u mor gjatë me lëvizjet në Facebook të të dyshuarit. Ai “u peshkua” pikërisht nga investigimi që i bëhej kohët e fundit faqeve në Facebook, të afërmve, miqve dhe të njohurve të tjerë të viktimës. Por sigurisht, si karrem u përdorën edhe faqe të rreme që u hapën nga agjentët policorë, duke u shtirë si të afërm apo miq të viktimës dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Krimi, i nisur vetëm me një “Like”, që Apostoli i kishte bërë një vajze shqiptare, Ela Vulaj, në faqen e saj në Facebook.

Kjo e kishte “tërbuar” aq shumë Nikolinin sa i punonte mendja vetëm për shpagim.

Vrasja e shëmtuar ndodhi mbrëmjen e 8 majit 2010. Apostol K. 30 vjeçar, mbeti i vrarë në kilometrin e 40-të të rrugës bregdetare Athinë-Souniou. Ai u gjet i vdekur në parkingun e një klubi nate në afërsi të Koropi. I ndjeri ishte qëlluar në kokë me tre plumba, brenda makinës së tij.

Viktima kohët e fundit para se të vritej punonte në një kompani produktesh kozmetike dhe ushqimore kurse më herët në zyrën e një avokati në Athinë.

Gjatë 24 orëve të para të pas-vrasjes, policia e Departamentit të Krimeve Kundër Jetës nuk kishte asnjë të dhënë lidhur me motivin dhe autorët e krimit misterioz.

Zbulimi i krimit filloi kur një kushërirë e afërt e 30 vjeçarit grek hapi kompjuterin e tij dhe pa se ai kishte të ruajtur automatikisht fjalëkalimin hyrës të faqes së tij në Facebook. Aty konstatoi se pak orë para se të vritej, Apostoli kishte marrë një mesazh në Facebook, mesazh që gjendej në murin e tij, nga një e re, kolege e tij e punës, emigrante bullgare. Por këtë mesazh s’kishte arritur ta lexonte pasi orët që i paraprinë ekzekutimit nuk e kishte hapur Facebook-un e tij.

“Doja të të thoja se ajo vajza, Ela, për të cilën të pyeta, jam e sigurt se është Niko. Dhe doja të të thoja që të mos takohesh me të edhe pse mund të duash ta takosh”.

Kushërira e të ndjerit informoi policinë për këtë mesazh dhe agjentët nisën investigimin duke marrë nën kontroll faqen personale të Apostolit në Facebook.

Vajza bullgare u mor në pyetje dhe nisi zbardhja e historisë. Ajo rrëfeu se para disa kohësh kish patur një lidhje intime me Nikolin M., djalin 26 vjeçar nga Velipoja në Shkodër, prej vitesh emigrant në Greqi.

Por edhe pasi ishin ndarë, prej disa muajsh, e trazonte përmes Facebook duke shprehur hapur xhelozinë e tij.

E reja bullgare tregoi se Niko siç e thërriste, përdorte profile me emra të ndryshëm në Facebook, “ritual” që në fakt e bëjnë shumë të rinj e të reja, duke dashur të argëtohen, “shtyjnë kohën” apo edhe për të “peshkuar” partnerë seksualë.

Por Niko ishte ca më keq maniak. Ai arriti deri aty sa të krijonte profil të rremë dhe të hynte në komunikim pikërisht me të, edhe pse ishin të lidhur dhe duke u hequr si një djalë që po e simpatizonte.

Emigrantja bullgare nuk e kishte kuptuar fillimisht këtë lojë. Në një moment pranon t’i japë numrin e celularit duke folur në Facebook. Aty nisi sherri. Ai e mori në telefon dhe nisi ta shajë duke i bërë të qartë se s’kishte punë të fliste me njerëz të huaj përderisa s’i njihte dhe aq më tepër, ishin të lidhur bashkë.

Pas këtij incidenti erdhi ftohja, por jo se ra interesimi dhe xhelozia e Nikos për bullgaren. Ai nisi të rrëmojë në profilin e saj dhe pa se në disa foto, ku kishte dalë me kolegun e saj 30 vjeçar Apostolin, në një aktivitet të zhvilluar nga kompania ku punonin. Pa se Apostoli i kishte bërë “Like” fotove ku kishte dalë ai dhe ajo.

Me të parë se u kishte bërë “Like” fotove të së dashurës së tij, Niko e merr në telefon Apostolin dhe nis ta shajë e kërcënojë. Në bisedë e sipër, Apostoli i kërkon që herë tjetër të mos e shqetësojë më në telefon.

Pak ditë pas këtij incidenti dhe rreth një muaj para se të ndodhte vrasja, u shfaqën në profilin e Facebook të vajzës bullgare dhe Apostolit, dy kërkesa për “friends”, nga një vajzë e re, modele shqiptare, me emrin Ela Vulaj. Vajza thoshte në profilin e saj se ishte e punësuar në një bar night club në bregdet.

E reja bullgare nuk e pranoi kërkesën për ta shtuar te shokët e saj pasi siç i tha policisë, dyshonte se ishte një proçkë e radhës e Nikos.

Kurse Apostoli e pranoi kërkesën, ndofta i nxitur dhe nga fotot sexy të Ela Vulaj. Por këtu kishte bërë gabimin e tij të jetës.

Pas një komunikimi mes tyre që zgjati afro një muaj, jo vetëm në Facebook por edhe përmes telefonave që shkëmbyen, erdhi dhe momenti që lanë takim. “Ela Vulaj” e ftoi Apostolin të takoheshin në night-club ku punonte.

Për këtë takim, kishte arritur të mësonte e reja bullgare e cila e frikësuar mos ishte një takim vdekjeje, i shkroi në Facebook Apostolit, pikërisht fjalët: “Doja të të thoja se ajo vajza, Ela, për të cilën të pyeta, jam e sigurt se është Niko. Dhe doja të të thoja që të mos takohesh me të edhe pse mund të duash ta takosh”.

Por ishte tepër vonë...

Hetimet

Pasi u mor dëshmia e çmuar e të resë bullgare, agjentët policorë morën nga Facebook foto nga profili i të riut shqiptar dhe ia treguan shumë njerëzve në zonën e klubit të natës. Dëshmitarë okularë pohuan se e kishin parë Nikon natën që u vra Apostoli, pikërisht në vendngjarje.

Kurse nga kontrolli që iku bë telefonit celular të Apostolit, doli se kishte pasur thirrje me një vajzë shqiptare me emrin Maria A., e cila shtirej në telefon si Ela Vulaj.

Ndërsa në Facebook, Niko e bënte lojën e tij vetë, në telefon i duhej ndihma e një vajze dhe këtë e kishte bërë shumë mirë Maria.

Policia zbuloi se disa muaj më parë, kjo femër ishte arrestuar në Iraklio të Kretës, për mbajtje lëndësh narkotike por më pas ishte lënë e lirë. Hetimi nxori se prej kohësh, Maria kishte komunikim me Nikon.

Ndërsa hetimi vazhdonte, policia ngeci për ta kapur Nikon pasi ishte zhdukur nga vendbanimi. Kurse në profilin e tij në Facebook shkruante se kishte ikur në Itali. Madje tregonte në murin e tij edhe përshtypjet e para nga Italia. Pak ditë më vonë, profili i tij ishte fshirë.

Si nëna e viktimës futi Nikon në kurth

Kushërira e afërt e Apostolit, bashkë me avokatin, pasi kishte mësuar për maninë e Nikos me Facebook, nisën të kërkojnë edhe ata me orë të tëra, nëpër faqe, profile dhe foto shqiptarësh në internet, me shpresën se do të binin në gjurmët e Nikos. Dhe ia dolën sepse pas qindra orë kërkimesh, arritën të gjejnë foto të 26-vjeçarit në profilin e një shqiptari tjetër.

Kushërira e Apostolit i bëri kërkesë për Friend Nikos sigurisht pasi kishte hapur profil të rremë në Facebook.

Niko e pranon ftesën dhe nis komunikimi mes tyre. Niko i tregon se gjendej në Velipojë duke ia përshkuar njohjes së tij të re, si një plazh i mrekullueshëm që ndodhej pranë Shkodrës, vendlindjes së tij.

Policia greke, pohon se ndonëse u lokalizua vendndodhja e Nikos, nuk pati bashkëpunim të menjëhershëm me policinë shqiptare, duke konsideruar se ishte e papërshtatshme.

Ndërkohë, pas disa kohësh, kushërira e Apostolit që hiqej në Facebook si një vajzë tjetër, pa në profilin e Nikos se kishte hedhur një foto ku kishte dalë në foto, në kafenenë e një qendre tregtare e cila gjendet në Agjio Dhimitriou në Athinë. Ishte pra e qartë se Niko ishte kthyer në Greqi.

Por ndërsa kishte ardhur në Greqi, Niko e kishte mbyllur dhe profilin me të cilin komunikonte me vajzën kurth. Kjo nuk ishte më problem për të sepse ajo i kishte ruajtur emrat dhe fotot e të gjithë shokëve që kishte Niko në profilin tashmë të mbyllur dhe për të gjetur profilin e tij të ri, ishte më e thjeshtë.

Pasi e gjetën, ishte radha e nënës së Apostolit që të hapte një profil të rremë në Facebook. Ajo i bëri kërkesë për Friend dhe Niko e pranoi. Në komunikim e sipër, u pa një foto që Niko e hodhi në profilin e tij ku edhe shfaqej të kishte dalë këto ditë në një kateteri në bregdet, jo larg vendit ku ndodhi vrasja e Apostolit. Policia e cila ndiqte nga afër këto “operacione”, identifikoi lokalin në Alimou. Që nga ajo ditë e deri minutat e prangosjes, lokali u vu nën përgjim me shpresën se Niko do të kthehej sërish. Të dielën ndodhi ajo që pritej prej ditësh dhe i riu shqiptar u prangos bujshëm në lokal.

Fjalët që tha pas arrestimit: “Nuk jam vrasës, s’kam asnjë lidhje me krimin që më thoni”.

n.s/e.t/NOA

KOMENTE