English

KSHZ: Deri në orën 10.00 votuan 14.02% e maqedonasve

Shkup, 5 qershor 2011, NOA- Lidhur me votimin e nisur mëngjesin e sotëm në Maqedoni, në një dalje për mediat Komisioni Shtetëror Zgjedhor bëri të ditur se numri i votuesve deri në orën 10 shkon në 14.02%, e përkthyer në votues 224.837 persona.

Do të jenë plot 1.821 122 qytetarë me të drejtë vote ata që do të zgjedhin deputetët e ardhshëm të kuvendit të Maqedonisë dhe deri më tani vetëm një pjesë e vogël e tyre ka shprehur vullnetin përmes votës.

Mësohet se aktualisht janë shpërndarë nëpër qendrat e votimit 3700 vëzhgues vendorë dhe 489 vëzhgues të huaj, kryesisht nga misioni OSBE-ODIHR.

Sipas KSZH deri në orën 10.00 numri i votuesve në njësinë e parë kapi shifrën 16.4% , në njësinë e dytë 13.21%, në njësinë e tretë 18,61%, në një njësinë e katërt 16.27%, në njësinë e pestë 13,81% dhe në njësinë e gjashtë 7.9%.

Në këtë garë zgjedhore përballen mes tyre 7 parti shqiptare, BDI e Ali Ahmetit, PDSH e Menduh Thaçit, RDK e Rufi Osmanit, DR e Imer Selmanit, BDSH e Bardhyl Mahmutit, PPD e Sefedin Harunit dhe BDK e Hysni Shaqirit.

Nga ana e palës maqedonase përballen mes tyre dy koalicione të mëdha, ai i udhëhequr nga VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe koalicioni i partive opozitare me Lidhjen Socialdemokrate, LSDM e Branko Cervenkovskit, të cilat përfshijnë të gjitha partitë e tjera të pakicave.

a.y/NOA

KOMENTE