English

Maqedoni, KSHZ: 53, 86 përqind e zgjedhësve kanë votuar deri në 17.00

Shkup, 5 qershor 2011, NOA – Ndërkohë që në orën 19.00 shënohet orari zyrtar i mbylljes së qendrave të votimit në Maqedoni, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) publikoi rezultatet e votimeve deri në orën 17.00, ku kanë votuar 53, 86 përqind e zgjedhësve. Këto të dhëna vijnë nga 93, 25 përqind e qendrave të votimit.

Të dhënat paraprake të KSHZ-së deri në orën 17.00 tregojnë se në njësitë e ndryshme kanë votuar:

Në njësinë 1-57, 77 përqind

Në njësinë 2 - 49,69 përqind

Në njësinë 3 - 61,23 përqind

Në njësinë 4 - 58,80 përqind

Në njësinë 5 - 53,47 përqind

Në njësinë 6 - 42,28 përqind

KSHZ shpalosi edhe rezultatet e votës në diasporë në tre njësitë zgjedhore, mirëpo pa konfirmuar fituesit e mandateve të deputetëve.

Në njësinë 7 në Europë kanë votuar 53 përqind, në njësinë e 8 në Amerikë-Kanada kanë votuar 68 përqind si dhe në Australi-Azi kanë hedhur votën në kuti 77 përqind. Agjencia e lajmeve INA bën me dije se nga burime jozyrtare ka mësuar se në diasporë tre mandatet i ka fituar VMRO-DPMNE e kryeministrit Gruevski, ndërkohë përjashtohet mundësia e fitores së ndonjë kandidati shqiptar.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko deklaroi se nuk ka njoftime serioze për probleme dhe parregullsi eventuale gjatë procesit të votimit.

Sipas tij, procesi po zhvillohet në mënyrë të qetë, korrekte dhe qytetarët po shprehin në mënyrë të lirshme të drejtën e votimit.

“Shpresojmë se deri në fund të ditës do të kemi një proces të tillë dhe qytetarët do të dalin të shprehin të drejtën e tyre të votës”, pohoi Boris Kondarko.

Sipas rezultateve të Komisioneve Komunale (KK) deri në orën 17.00, në zonat shqiptare ka jehonë të vogël të votuesve nga 30- 40 përqind, ndërsa në zonat e banuara me popullsi maqedonase në votime kanë dalë mbi 60 përqind të votuesve.

Në rajonin e Tetovës kanë hedhur votën afro 40 përqind e popullsisë, në rajonin e Gostivarit mbi 30 përqind, në Dibër 36 përqind, në komunën e Likovës, Haraçinës, Kumanovës 46 përqind, në Jair mbi 35 përqind.

Në njësinë e 5-të zgjedhore që përfshin Strugën, Dibrën gjithashtu ka një fluks jo të kënaqshëm të votuesve prej rreth 30 përqind.

Ndërkaq, komisionet komunale në zonat 3 dh 4, 5 kryesisht me popullsi maqedonase kanë një fluks në rritje të daljes së qytetarëve në votime.

Në Strumicë numri i votuesve ka arritur në 60 përqind, Kavadarc 60 përqind, Prilep mbi 46 përqind, Manastir mbi 50 përqind, Gjevgjeli 63 përqind, Shtip 63 përqind, Radovish 55 përqind, etj.

NOA/INA

KOMENTE