English

“Rally Albania”, në garë 20 shtete

Tiranë, 5 qershor 2011 NOA- Gara spektakolare e motorave dhe makinave nisi këtë të djelë në Tiranë. Janë 300 garues nga 20 shtete të botës, ndër të cilët vetëm 4 janë shqiptarë, të cilët konkurojnë për çmimet në disa kategori. Organizatorja Julinda Dhame tha se këtë herë ky aktivitet ka kapërcyer gjithë pritshmëritë për thyerjen e koordinatave, duke ngjallur interesin e garuesve nga Australia, Gjermania, Çeki, Itali, Greqi, Bullgari, Turqi, Slloveni, Sllovaki, Zvicër, Austri, Angli, Holandë etj. Në këto gara pjesëmarrësit do të përshkojnë 1500 kilometra. Fazat e garës janë 6, nga Shqipëria e Mesme në Veri dhe më pas në Jug. Tiranë-Tropojë, Tropojë-Valbonë, Tropojë-Vlorë, Vlorë-Himarë-Vlorë, Vlorë-Tiranë, Tiranë-Tiranë(finish) do të jenë etapat e kësaj gare, që përveç dueleve sportive, pritet të dhurojë dhe pamje spektakolare të relievit malor dhe bregdetar shqiptar. Etapa e parë ka një gjatësi prej 310 km dhe do të startojë në kryeqytet për të përfunduar në Tropojë. Etapa e dytë është programuar të realizohet në terrenet e vështira malore të vëndit tonë, duke nisur dhe përfunduar në Tropojë me një gjatësi prej 130 km. Etapa e tretë është dhe etapa më e gjatë, 410 km, e cila do të nisë në Tropojë dhe ka si pikë përfundimtare qytetin bregdetar të Vlorës. Etapa pasardhëse, 110 km do të zhvillohet në pjesën jug-perëndimore të vendit tonë me nisje dhe përfundim në Vlorë. Etapa e gjashtë është dhe etepa e kthimit në kryeqytet dhe ka një gjatësi prej 320 km. Etapa finale do të jetë tëresisht e Shqipërisë së Mesme me nisje dhe përfundim në kryeqytet duke kurorëzuar edhe fituesin në datën 11 qershor.

a.q/ NOA

KOMENTE