Deklaratë e përbashkët e ambasadorëve të OSBE-së, SHBA-së dhe BE-së në Shqipëri
Tiranë, 5 qershor 2011 NOA - Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe Kreu i Delagacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadori Ettore Sequi, dolën sot me një deklaratë të përbashkët për publikun shqiptar mbi procesin zgjedhor në Shqipëri.
Ata reagojnë mbi precipitimin e zhvillimeve elektorale pas shpalljes së vendimit të premten nga Kolegji Zgjedhor i cili rrëzoi kërkesën e PS.
"U njohëm me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore. Është thelbësore që të gjitha palët të veprojnë, pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak”, - thuhet në deklaratën e përbashkët.
Po aq e rëndësishme është që të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar, - vijon deklarata.
Kurse më tej jepet mesazhi:
“Ne besojmë se më 8 Maj, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre. Ky zë tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike”.
Në fund, deklarata e përbashkët mbyllet me “paralajmërimin”:
“Ne do të ndjekim nga afër përmbylljen e procesit zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare, si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it, duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura në deklaratat tona të mëparshme”.
e.t/NOA