English

Vdekja e 49-vjeçares në maternitet, policia e Korçës del me dy deklarata

Korçë, 5 qershor 2011, NOA – Pas vdekjes së beftë në maternitetin e Korçës të 49-vjeçares Fatbardha Aliko, 10 ditë pas operacionit, policia e Korçës ka nisur procedimin penal ndaj personelit mjekësor të maternitetit të Korçës, duke përmbysur dorazi edhe deklaratën e mëparshme.

Ka qenë vëllai i viktimës që ka denoncuar në polici mjekët e maternitetit të Korçës duke i paditur ata për pakujdesi në trajtimin e të motrës, Fatbardha Aliko.

Fillimisht policia e Korçës njoftoi se kishte nisur procedimin penal ndaj mjekëve pas kryerjes së autopsisë së viktimës, nga ku u tha se kishte rezultuar se vdekja e 49-vjeçares kishte ardhur si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm.

Por, më vonë policia hodhi poshtë këtë version të vdekjes së Fatbardha Alikos duke dalë me një komunikatë të dytë brenda vetëm pak orësh, ku u lajmërua se shkaqet e vdekjes se 49-vjeçares do të përcaktohen pas rezultateve përfundimtare të autopsisë.

Procedimi penal i mjekëve të maternitetit të Korçës nisi me argumentin se autopsia nuk ishte kryer ende, dhe se Fatbardha Aliko ndërroi jetë në mjediset e maternitetit të Korçës.

Por duke i parë me një sy të ftohtë dy deklaratat e policisë duken si një pjesë e stisur e skandalit ku janë përfshirë mjekët e maternitetit të Korçës, pasi në të parën blutë e Korçës thanë se procedimi penal ndaj mjekëve nisi pas kryerjes së autopsisë, ndërsa menjëherë pas kësaj policia doli me një deklaratë të dytë ku përgënjeshtroi të parën duke deklaruar se autopsia nuk është bërë ende.

Ky duket të jetë skandali i radhës i përfshirjes së bluzave të bardha, por në këtë rast edhe të uniformave blu të Korçës.

Fatbardha Aliko, nënë e dy fëmijëve u gjet e vdekur dje në dhomën e maternitetit të Korçës.

49-vjeçarja nga fshati Borsh-Devoll ishte shtruar prej dhjetë ditësh në maternitetin e Korçës ku ishte operuar për diagnozën e Fibromyome Uteri.

Sipas mjekëve operacioni i realizuar dhjetë ditë më parë kishte dalë me sukses.

Ndërkohë mbetet ende e paqartë vdekja e saj e beftë, pasi edhe pas rikontrollit të bërë dje gjendja e saj shëndetësore rezultoi e mirë.

Fatbardha Aliko ndërroi jetë dje menjëherë pasi u ngrit nga shtrati për të kryer nevojat e saj personale.

mit/NOA

KOMENTE
  • Real Korca00:21 - 06 Qershor 2011
    Punonjesit e maternitetit dhe te shume obiekeve publipe bejne pjese ne grupet militante te partive perkatese.......vendosja ne pune nuk ka te beje fare me aftesite e tyre personale......kurse ryshfetet bejne temen e dites...