English

Zgjedhjet në Maqedoni, mbyllet procesi i votimit

Shkup, 5 qershor 2011, NOA – Maqedonia votoi sot për të zgjedhur anëtarët e rinj të parlamentit të saj në zgjedhjet e parakohshme të thirrura nga kryeministri Gruevski për shkak të bojkotit të parlamentit nga koalicioni opozitar LSDM, i udhëhequr nga ish-presidenti maqedonas Branko Cervenkovski. Procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është përmbyllur në orën 19.00, e tashmë ka nisur procesi i numërimit dhe mandej do të vijojë edhe publikimi hap pas hapi i rezultateve paraprake.

Deri dy orë më parë kishin hedhur votën në kuti afro 54 përqind e zgjedhësve.

Kutitë e votimit u hapën në orën 07.00, në 2 976 qendra votimi në mbarë vendin, të shpërndara në gjashtë njësi zgjedhore.

Për të votuar në këto zgjedhje u thirrën 1 milion e 820 mijë qytetarë me të drejtë vote, të cilët kanë hedhur votën për 123 deputetët e parlamentit, nga 679 kandidatë gjithsej, që i përkasin 18 subjekteve politike që garojnë në zgjedhje.

Në garën zgjedhore garuan 7 parti shqiptare: BDI, PDSH, RDK, DR, BDSH, PPD dhe BDK.

Ndërsa, në kampin politik maqedonas garuan dy koalicionet e mëdha, VMRO-DPMNE i udhëhequr nga kryeministri aktual Nikolla Gruevski dhe koalicioni i partive opozitare me Lidhjen Socialdemokrate (LSDM), që përfshin të gjitha partitë e tjera të pakicave.

Sipas rezultateve të Komisioneve Komunale deri në orën 17.00, në zonat shqiptare ka patur pjesëmarrje të vogël të votuesve nga 30-40 përqind, ndërsa në zonat e banuara me popullsi maqedonase në votime kanë dalë mbi 60 përqind e zgjedhësve.

Në rajonin e Tetovës kanë hedhur votën në kuti 40 përqind e votuesve, në rajonin e Gostivarit mbi 30 përqind, në Dibër 36 përqind, në komunën e Likovës, Haraçinës, Kumanovës 46 përqind, në Cair mbi 35 përqind e votuesve.

Ndërkohë edhe fushata elektorale 20 ditore kaloi e qetë, në veçanti në bllokun politik shqiptar, ku për herë të parë që nga vendosja e pluralizmit nuk është regjistruar as edhe një incident.

Partitë politike pas orës 20.00 pritet të japin rezultatet e para nga qendrat e votimit, ndërkohë që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet të dalë pas mesnate për të bërë publike rezultate paraprake për zonat e votimit.

mit/NOA

KOMENTE