Tiranë, 6 qershor 2011, NOA- Gjatë ditës së sotme Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, organizoi Forumin e Donatorëve për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme të njohura ndryshe si SME, ku i pranishëm ishte zv.Ministri i Ekonomisë Eno Bozdo.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë forum, Bozdo u shpreh se, tryeza e Donatorëve për SME-të është një shprehje e vullnetit të bashkëpunimit dhe të kooperimit me qeverinë shqiptare, në përfitim të zhvillimit të sektorit privat, dhe në veçanti për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
Më tej zv.Ministri i METE theksoi se, një ndër programet e rëndësishme që kontribuon në rritjen e konkurrueshmërisë së SME-ve në Shqipëri, është programi Italian dhe që prej fillimit zyrtar të tij, që në Janar 2009, linja e kredisë për SME-të ka qenë mjaft e suksesshme.
“Nisur nga ecuria e zbatimit të këtij programi, METE e konsideron si një instrument shumë të dobishëm që ndikon në rritjen e kapaciteteve teknologjike të SME-ve. Gjithashtu, METE e mirëpret propozimin e përgatitur nga zyra e Kooperacionit Italian, për vazhdimin e këtij programi për periudhën 2010-2012, dhe që do t’i hapë rrugë nënshkrimit të një marrëveshje të re të kredisë në vlerë prej 15 milion Euro”, u shpreh Bozdo.
Sakaq ai u tha donatorëve se, sipas vlerësimeve të bëra nga OECD dhe BE për indeksin e politikës së SME-ve për vitin 2009-2010, rezulton se Shqipëria renditet tepër pozitivisht sa i takon politikave të ndërmarra në fushën e reformës rregullatore dhe në veçanti për regjistrimin e biznesit, të licencimit, për qeverisjen elektronike etj.
Sipas Bozdos zbatimi i këtij programi strategjik do të jetë një ndihmë konkrete ndaj SME-ve në procesin e inovacionit, në përmirësimin e kapaciteteve teknologjike, si dhe krijimin e një sistemi inovacioni që do të rrisë bashkëveprimin e institucioneve në mbështetje të ndërmarrjeve.
Më tej numri 2 i ministrisë së Ekonomisë theksoi se, për implementimin e këtij programi, janë parashikuar 4 projekte të rëndësishme ndër to, Fondi i Inovacionit; Shërbimet e inovacionit për biznesin; Programi për inkubatorët e biznesit dhe Programi për zhvillimin e klasterave.
Ky forum u zhvillua në bashkëpunim me Kooperacionin Italian, përfaqësues të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme financiare që veprojnë në vendin tonë, si USAID, IFC, etj.
a.y/NOA