Rimini, 6 Qershor 2011 NOA – Një plaçkitje e kryer dhe një tjetër e lënë në mes, përfunduan me kapjen e një prej të dyshuarve shqiptarë dhe zhdukjen e tjetrit në drejtim të paditur.
Elton Çepele, 29 vjeç, emigrant shqiptar pa leje të rregullt qëndrimi, u arrestua në rrugën Gigli di Andrea Lattanzi në Rimini të Italisë, raporton korrespondentja e agjencisë NOA.
Ngjarja ka ndodhur natën duke gdhirë dita e djeshme, kur një grua denoncoi në policinë lokale se kishte pikasur dy persona të cilët qëndronin të veçuar, njëri buzë rrugës mbi biçikletë e tjetri te porta e një banese, duke kryer veprime të dyshimta.
Fqinja ka kërkuar ndihmën e policisë në numrin 113 dhe pas pak minutash atje mbërriti një makinë policore.
Me të mbërritur policët ndaluan menjëherë të riun mbi biçikletë. Elton Çepele u kap me një çantë që më pas u mësua se ishte preja e plaçkitjes së kryer më herët në rrugën Reno në zonën e Villaggio Primo Maggio. Në çantë gjendej një lap-top disa aparatë fotografikë dhe një kamera.
Ndërkohë u afruan te banesa që përshkroi dëshmitarja dhe u përpoqën të kapin të dyshuarin tjetër i cili mesa duket kishte kuptuar praninë e “të zinjve” dhe ishte zhdukur.
e.t/NOA