Tiranë, 6 qershor 2011, NOA – Tri ditë pas dhënies së vendimit për pushimin e ankesës së Partisë Socialiste ndaj vendimit të KQZ-së që nxorri fitues me 81 vota kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha, Kolegji zgjedhor pritet të zbardhë këtë vendim publikisht.
Vendimi i Kolegjit u dha të premten në 3 qershor duke lënë në fuqi rezultatin e dalë nga KQZ për Tiranën.
Ky vendim pritet të zbardhet në referencë të nenit 158/6 në Kodin Zgjedhor, që sanksionon se Kolegji Zgjedhor është i detyruar ta zbardhë vendimin jo më vonë se tri ditë nga dhënia e tij, që nënkupton se data është sot.
Kolegji rrëzoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, që kontestonte vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vlerësimin e votave të kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara nga votuesit.
Numërimi dhe vlerësimi i votave të kontestuara ndryshoi edhe rezultatin për Tiranën të dalë pas mbylljes së procesit të numërimit të votave në 11 KZAZ-të e Tiranës, ku kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama doli fitues me 10 vota më shumë se Lulzim Basha.
Por, Partia Socialiste pas vendimit të Kolegjit pritet të ankojë sërish edhe mospërputhjen e votave gjatë vlerësimit të fletëvotimeve të kontestuara.
mit/NOA