English

Me Malin e Zi, një erë e re lidhjesh (VIDEO)

Thellimi i lumit Buna, lëvizja e lirë e qytetarëve të dy vendeve dhe ndërtimi i infrastrukturës rrugore ishin argumentet kryesore të bisedës sot mes ministrit shqiptar të Jashtëm Haxhinasto dhe homologut malazez Rocen.

“Kemi folur me ministrin Rocen për projektet e përbashkëta të infrastrukturës rrugore, që lidhin dy vendet tona. Një projekt i tillë që i shërben zonave të Jugut dhe Juglindjes së Malit të Zi është rruga në zonën e Plavës dhe Gucisë, e cila mund të lidhet me Podgoricën, duke kaluar nga territori shqiptar. Ky është një projekt i shkëlqyer, jo vetëm në aspektin fizik të tij, por ka domethënie, pasi tregon se si duhet të mendojnë vendet e këtij rajoni për të bashkëpunuar konkretisht me njeri-tjetrin”, - tha z.Haxhinasto.

Sakaq z.Rocen tha: “Diskutuam edhe për projekte të tjera: për Liqenin e Shkodrës, për ruajtjen e eko-sistemit atje, për të bërë të lundrueshëm Lumin e Bunës dhe për të shfrytëzuar të gjithë potencialet e jashtëzakonshme turistike dhe ekonomike që ka zona e Verilindjes së Shqipërisë, në bashkëpunim me Malin e Zi. Folëm edhe për potencialet e mëdha turistike që ka zona veriperëndimore e Shqipërisë dhe për gjithë mundësitë e tjera të bashkëpunimit”.

Gjithashtu, palët diskutuan edhe për marrëveshjet e tjera që duhet të përfundojmë mes dy vendeve, marrëveshja në fushën arsimore, në energji, në sektorin konsullor për lëvizjen pa pasaporta, por vetëm me dokumente identifikimi.

77

KOMENTE