Shkup, 6 qershor 2011, NOA – Pak orë pas nisjes së numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, organizata joqeveritare “Most”, e cila vëzhgoi zgjedhjet ka publikuar rezultatet e para paraprake duke evidentuar numrat e deputetëve në parlamentin maqedonas.
Most bën me dije se koalicioni qeveritar i kryesuar nga VMRO-DPMNE ka fituar 53 deputetë, LSDM ka fituar 43 deputetë, BDI ka marrë 14 mandate, PDSH 8 deputetë dhe RDK 2 deputetë.
Rezultatet paraprake janë përshëndetur edhe nga partitë humbëse.
Lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski dhe kandidatja e nominuar për kryeministre në rast të fitores së opozitës, Radmilla Sheqerinska uroi në orët e vona të natës koalicionin fitues në këto zgjedhje, VMRO-DPMNE.
Cërvenkovski paralajmëroi se beteja e LSDM-së do të vazhdojë dhe se koha e saj në pushtet po vjen.
“Nëse keni parë se çfarë mund të bëjmë me 18 deputetë, koha e kësaj partie po vjen”, theksoi ai.
Ndërkohë fitoren Gruevskit ia ka uruar edhe Radmilla Sheqerinska e cila nënvizoi se “Dëshiroj që t`ia uroj fitoren rivalit tonë politik VMRO-DPMNE. Kjo është një fitore e Piros”, deklaroi ajo, duke shtuar se skena politike në Maqedoni ka pësuar ndryshime.
Në zgjedhjet e 5 qershorit LSDM fitoi 370 mijë vota, gjegjësisht 150 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e kaluara të vitit 2008.
NOA/INA