English

PD: Rama hiq dorë nga shantazhi, ne do presim vendimin e institucioneve

Tiranë, 6 qershor 2011, NOA- Pas deklaratës së kryesocialistit Edi Rama ka reaguar menjëherë Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses së saj Albana Mustafaraj.

Gjatë fjalës së mbajtur për mediat, ajo u shpreh: “Edi Rama ende nuk kupton.

Megjithë detyrimin e çdo politikani por edhe thirrjet e përsëritura të komunitetit ndërkombëtar për të respektuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese demokratike të Shqipërisë,vendimet e tyre dhe shtetin ligjor, ai vazhdon çdo ditë me presione dhe kërcënime dhe deklaron se nuk njeh vendimet e tyre”.

Sipas saj, Partia Demokratike i qëndron e patundur angazhimit të saj, që të presë me durim dhe respekt vendimet e institucioneve të pavarura të vendit.

Në vijim Mustafaraj shtoi se, çdo përpjekje për të përbaltur procesin dhe shumë më keq edhe për të kërcënuar Kolegjin Zgjedhor, është tërësisht e pavend, dhe vetëm se bën të ditura e fakton motivet e vërteta të këtij qëndrimi absurd dhe agresiv.

Ndër të tjera zëdhënësja e bluve theksoi se, “Partia Demokratike duke i kërkuar z. Rama , të heqë dorë nga shantazhi dhe presioni ndaj institucioneve të pavarura, dhe të pranojë funksionimin e shtetit ligjor, i drejton atij pyetjet: Përse ju z. Rama, nuk dëshironi numërimin e çdo vote? Përse z. Rama doni të mbysni zërin e qytetarëve?”

Kjo deklaratë erdhi pas asaj të bërë më herët nga kryesocialiti Edi Rama, i cili tha se nuk njeh vendimet e dala nga Kolegji Zgjedhor si dhe u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë, pasi sipas tij çdo minutë që ecën është njëlloj si një minë me sahat për stabilitetin në vend.

a.y/NOA

KOMENTE