Tiranë, 6 qershor 2011 NOA- Juristët e Partisë Socialiste janë paraqitur në orën 16.00 në dyert e Kolegjit Zgjedhor. Ashtu sikundër paralajmëroi 2 ditë më parë kryetari Edi Rama, selia rozë vijon betejën ligjore për rezultatin e Tiranës. Kështu, juristët depozituan në Kolegjin Zgjedhor një kërkesë padi lidhur me shkeljen e afatit nga ana e Kolegjit për të zbardhur arsyetimin për vendimin e datës 3 qershor, ku u shpall fitues kandidati demokrat Lulzim Basha. Deputeti Damian Gjinkuri tha se “Kolegji ka shkelur çdo afat sa i takon arsyetimit ligjor për rrëzimin e kërkesës së socialistëve pak ditë më parë”.
“Duam të denoncojmë këtë rast për standartet e ulta të Kolegjit Zgjedhor dhe duhet të përcaktojmë standartin që përcakton ligji. Ne do të dorëzojmë kërkesën e akt-padisë dhe ne duam të dimë se ku i gjetën shkaqet e këtij rrëzimi nga Kolegji Zgjedhor”,- tha më tej Gjiknuri. Në këtë mënyrë, PS prite të çojë po sot në Kolegj edhe ankimimin e ri lidhur me rezultatet në njësinë 5, pasi sot përfundon edhe afati i kësaj procedure. Pas rrëzimit të dy ankimimeve në Kolegj, duke lëne ne fuqi vendimin e KQZ për të shpallur fitues Lulzim Bashën, PS vendosi të ankimojë më tej ketë proces.
a.q/NOA