Shkup, 6 qershor 2011, NOA – Pas fitores së BDI me 108 mijë vota ndaj partisë shqiptare PDSH, Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi uroi kreun e BDI-së, Ali Ahmeti për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“E uroj sinqerisht Ahmetin për fitoren dhe partisë së tij, bashkë me partnerin e koalicionit, u takon ta formojnë Qeverinë e Apokalipsës për këtë shtet”, deklaroi kreu i PDSH-së.
Thaçi nënvizoi se fitorja e BDI-së u arrit me gjithë parregullësitë dhe votimet e njohura në disa vendbanime si Zajaz, Osllomej dhe zona tjera.
Ai tha se PDSH mbetet partia e vetme shqiptare opozitare, ndërkohë që theksoi se partia e tij ka dalë shumë më e fuqishme në Shkup dhe në Kumanovë.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare garuan 7 parti shqiptare: BDI, PDSH, RDK, DR, BDSH, PPD dhe BDK.
Shoqata joqeveritare “Most” bëri me dije se në bazë të votave të marra BDI ka fituar 14 mandate deputetësh në parlamentin e ri.
Sipas rezultateve të Komisioneve Komunale në zonat shqiptare ka patur pjesëmarrje të vogël të votuesve nga 30-40 përqind, ndërsa në zonat e banuara me popullsi maqedonase në votime kanë dalë mbi 60 përqind e zgjedhësve.
Në zgjedhjet në Maqedoni u thirrën për të votuar 1 milion e 820 mijë qytetarë me të drejtë vote, për të zgjedhur 123 deputetët e rinj të parlamentit, nga 679 kandidatë gjithsej që i përkasin 18 subjekteve politike garuese në zgjedhje.
Në mbarë vendin u votua në 2 976 qendra votimi të shpërndara në gjashtë njësi zgjedhore.
Por, ndërkohë që partitë humbëse në Maqedoni kanë uruar fituesit duke shënuar edhe standardet demokratike për zgjedhjet, në Tiranë një muaj pas zgjedhjeve vendore beteja për rezultatin për bashkinë e kryeqytetit vazhdon...
mit/NOA/INA