Tiranë, 6 qershor 2011 NOA- Presidenti i republikës së Shqipërisë, Bamir Topi tha sot se vendi ynë ka përmbushur me sukses të gjitha standardet e kërkuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Topi priti Ministrin e jashtëm dhe të Integrimit Evropian të Malit të Zi, Milan Roçen, ku u vunë në dukjë marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve. “Ne kemi një bashkësi solide shqiptare në Malin e Zi”, – u shpreh presidenti Topi, duke vlerësuar se “ajo përbën një urë të fortë lidhëse të bashkëpunimit e të komunikimit mes dy popujve”.
“Pavarësisht debateve politike që ekzistojnë në vend, klasa politike dhe shteti shqiptar janë të fokusuar dhe maksimalisht të angazhuar ndaj politikave madhore të integrimit”, – vlerësoi Topi, duke theksuar se: “kjo na bën të jemi optimistë që marrja e statusit kandidat nga Shqipëria për në BE do te ndodhë në një moment kohor te afërt”.
Presidenti Topi vlerësoi transformimet e prekshme pozitive të viteve te fundit në rajonin tonë, duke vënë në dukje rolin moderator e konstruktiv të faktorit shqiptar në këtë drejtim. Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm dhe i Integrimit Evropian i Malit të Zi, Milan Roçen, vlerësoi lart jo vetëm rolin moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, por edhe rolin konstruktiv personal të Presidentit Topi në funksion të përmirësimit të klimës dhe frymës së mirë të bashkëpunimit politik mes udhëheqësve rajonalë me synim zhvillimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e përbashkët në gjirin e familjes së madhe evropiane duke shkëmbyer përvojat e vlefshme pozitive.
a.q/NOA