English

Turpi i Serbisë

Nga Natasha Kandiq

Për presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, arrestimi i Mlladiqit paraqet mbylljen e një kapitulli të errët në historinë tonë dhe heqjen e shenjës së turpit që ka njollosur për dy dekada popullin serb. Por, ende nuk janë përmendur autorët e tjerë të gjenocideve gjatë viteve ‘90 ose përgjegjësia që mban shteti serb për këto krime.

Jo shumë kohë më parë, për një moment të shkurtër, u duk se të gjithë në Serbi do të rreshtoheshin përkrah “viktimave të huaja”, kundër “autorëve të tyre”. Një gjë e tillë u vu re në vitin 2005, pas zbulimit të një incizimi që tregonte ekzekutimin e 6 burrave myslimanë në Srebrenicë, më 1995. Për herë të parë, publiku serb kishte parë prova të pakundërshtueshme të përfshirjes së shtetit në masakrën e 7 mijë myslimanëve.

Qeveria kishte reaguar shpejt, duke e distancuar shtetin nga masakra. Brenda natës, policia arrestoi pesë burra, duke i shpallur ata grup kriminal dhe duke mohuar çdo lidhje të njësitit që mund të ketë pasur me institucionet shtetërore.

Gjatë gjykimit, gjykata serbe hodhi poshtë dëshmitë e nënave dhe të fëmijëve të të gjashtë të ekzekutuarve myslimanë. Gjykata konkludoi se nuk kishte prova që dëshmonin se burrat ishin të paraburgosur nga Srebrenica. Ky vendim ishte një shenjë turpi për të gjithë ne. Dhe, ne nuk mund ta lajmë atë me dërgimin e gjeneralit Mlladiq në Tribunalin e Hagës.

Arrestimi i Mlladiqit solli lehtësim për familjet e viktimave. Ai bëri që Tribunali i Hagës të njihet si agjent i suksesshëm i së drejtës ndërkombëtare. Ai po ashtu i dha Serbisë perspektivën e lakmuar për një kohë të gjatë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Qeveria serbe ka arritur të bindë botën se ajo vlerëson të ardhmen evropiane shumë më shumë se heronjtë kriminelë të së kaluarës.

Por, unë nuk jam e sigurt nëse Serbia ka hequr dorë nga Mlladiqi dhe gjeneralët tjerë, që kanë zhvilluar një luftë gjenocidiale në Bosnjë. Konsiderata që kanë shprehur zyrtarët shtetërorë dhe mjetet e informacionit për të, është një tjetër shenjë turpi për të gjithë ne.

Zëvendësprokurori i ofroi atij dredhëza. Dëshira e tij për t’u vizituar nga ministri i Shëndetësisë dhe kryetari i Parlamentit ishte plotësuar, ashtu si edhe dëshira për të vizituar varrin e së bijës. Publiku serb u përditësua vazhdimisht me ushqimin e tij në burg dhe në te gjithë mësuam se Mlladiq u nis për në Hagë me kostumin që kishte veshur në dasmën e djalit të tij. Ai ishte trajtuar si yll.

Lajkatimi i tillë i vrasësit është i rrezikshëm në rajonin ku plagët e luftës nuk janë shëruar ende. Nacionalizmi është ende i fortë në Bosnjë, Kroaci, Kosovë dhe Mal të Zi, e nganjëherë edhe më i fortë seç ishte gjatë luftërave që shpërbënë Jugosllavinë në vitet 1990.

Kohët e fundit, në Kroaci, politikanët, mediat, kisha dhe grupet e shoqërisë civile protestuan vendimin e Tribunalit të Hagës për shpalljen fajtorë për krime lufte të dy gjeneralëve kroatë – një vendim ky që sfidoi interpretimin e zyrtarëve kroatë për luftën. Ata pranojnë të kenë ndodhur disa vrasje në vitin 1995, por mohojnë se krerët e shtetit, si Franjo Tugjman – atëbotë president i Kroacisë – të kenë qenë përgjegjës për planifikimin e spastrimit etnik të serbëve.

Në sytë e establishmentit politik në Bosnjë dhe të familjeve të viktimave, drejtësia për viktimat e gjenocidit dhe të spastrimit etnik do të arrihet vetëm kur Serbia dhe liderët serbë të Bosnjës të pranojnë rolin e tyre në gjenocid.

Pak ka ndryshuar edhe në Kosovë, ku publiku kundërshton gjykimin e komandantëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Mal të Zi, gjykata vendosi që policët, që ua dorëzuan refugjatët myslimanë forcave serbe në Bosnjë, në maj të vitit 1992, nuk ishin fajtor për krime lufte. Ky vendim ishte një shuplakë në fytyrë për familjet e viktimave.

Rajoni dëshpërimisht ka nevojë për një debat të ndershëm në lidhje me të kaluarën. Kjo është mënyra e vetme për të njohur të gjitha viktimat dhe për të ndaluar gënjeshtrat që kemi treguar për veten tonë dhe të tjerët.

* Drejtore e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi. Publikuar nga “New York Times”

KOMENTE