English

Vdes tragjikisht në Itali, studentja nga Lushnja (FOTOT)

Massa, Itali, 6 Qershor 2011 NOA - Një garë shpejtësie me makina ka përfunduar tragjikisht pasi jeta e një vajze 22 vjeçare nga Lushnja u shua gjatë përplasjes fatale të automjetit.

Viktima është Ornela Filipi, 22 vjeçe nga qyteti i Lushnjës, e cila jetonte prej disa kohësh në Itali pasi studionte në Firence.

E reja ishte e njohur në qarqet arsimore të zonës pasi kishte përfunduar me rezultate shumë të mira Liceun Shkencor në Fermi ku ishte diplomuar vitin e kaluar dhe tani ishte në Universitetin e Firences.

Aksidenti i rëndë rrugor siç shihni edhe fotot, ndodhi gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme në Massa të Italisë.

Ornela gjendej në bordin e një makine Alfa Romeo 156 së bashku me një mikun e saj, Ervis Skenderaj, 23 vjeç.

Në drejtim të makinës ishte 19 vjeçari Edmond Kazazi, i cili prej pak muajsh kishte marrë patentën. Djemtë, prej disa kohësh punonin në kantierin detar.

Aksidenti erdhi pak pasi kishin kaluar pak kohë në një lokal në Marina di Massa kurse rreth mesnatës vendosën të shkonin në qendër të qytetit.

tre hipën në Alfa Romeo kurse dy miq të tjerë gjithashtu shqiptarë, u futën në një makinë Ford Focus.

Nga hetimi dyshohet se në shpejtësi e sipër, Edmondi që drejtonte Alfa Romeo ka përplasur makinën Focus pasi humbi kontrollin e mjetit të tij. Përplasja ishte aq e fortë sa makina është ndeshur me pemë, shtyllë ndriçuese elektrike dhe më tej ka hedhur jashtë mjetit tre personat që gjendeshin në të, duke përfunduar pranë koncesionarit “Centrauto”.

Në këtë kaos, ishin dy shqiptarët që gjendeshin tek makina Focus ata që u përpoqën të shpëtojnë miqtë e tyre. Por ata konstatuan se Ornela ishte në gjendje kritike. Telefonuan nën alarm numrin 118 duke kërkuar ndihmën e shpejtë.

Tre autoambulanca që mbërritën nuk arritën të shpëtojnë Ornelën e cila vdiq 30 minuta pasi u transportua për në spital.

Sakaq, Edmond Kazazi u shtrua në spitalin e Massa, pa rrezik jete, kurse Ervisi në spitalin e Carrara, edhe ai pa rrezik jete.

Të plagosur kanë mbetur edhe dy të rinjtë që ndodheshin te makina Focus, por me lëndime të parrezikshme për jetën.

Në përpjekje për të zbardhur hetimet, në dispozicion të prokurorit Vito Bertone është vënë mjekja ligjore Elisa Menconi, pasi një ekzaminim nekroskopik i jashtëm di t’i bëhet të ndjerës.

e.t/NOA

KOMENTE