Riad, 6 qershor, NOA/ Eglantina Nasi - Arabia Saudite është duke diskutuar propozimin për të financuar ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar në Shqipëri.
Lajmi konfirmohet nga mediat arabe, të cilat citojnë një intervistë të dhënë për to nga Sherefedin Shehu, deputet i komisionit parlamentar shqiptar të Financave.
Mësohet se Shehu ka qenë gjatë fundjavës për një vizitë në kryeqytetin Riad të Arabisë Saudite, i shoqëruar edhe nga tre deputetë të tjerë shqiptarë, ku është takuar me personalitete të larta të vendit të njohur mysliman.
Të pranishëm në këto takime kanë qenë gjithashtu edhe ambasadori shqiptar në Riad, Admirim Banaj dhe administratori i kompanisë së njohur “Varuz Sales”, Amir Dhulkarnejn.
Mediat arabe citojnë konkretisht se Mbretëria e tyre “në një gjest solidariteti dhe mbështetje për Shqipërinë, kombin me popullsi me shumicë myslimane në Evropën juglindore, është e gatshme për të financuar projektin e parlamentit të ri, i cili do të mbulojë një sipërfaqe prej 28.000 metrash katrorë në qendër të kryeqytetit të Tiranës”.
Nga ana e tij, deputeti Shehu u zbuloi disa detaje të projektit të parlamentit autoriteteve të larta arabe dhe theksoi rëndësinë e nivelit të lartë në të cilin kanë arritur marrdhëniet mes dy vendeve tona.
Duke iu referuar bisedimeve të tij konkrete me kryetarin e Këshillit Shoura, Abdullah Al-Asheikh, Shehu tha se "detajet e planit për financimin e projektit të parlamentit të ri, do të shpallen gjatë vizitës së parashikuar që kryetarja e parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli, do të zhvillojë në Riad brenda disa muajve”.
Por Shehu zhvilloi gjithashtu bisedime edhe me ministrin e Shëndetësisë së Arabisë Saudite, dr.Rabeeah Abdullah Al; ministrin arab të Arsimit të Lartë, dr.Khalid Al-Anqari dhe drejtorin Menaxhues të Fondit Arab për Zhvillim (SFD), Yousef Al-Bassam.
I pyetur rreth ndihmës të re të Arabisë apo kredive për objekte që shtrihen në Shqipëri, ai tha se tashmë komisioni parlamentar i Ekonomisë së Shqipërisë, tashmë e ka miratuar marrëveshjen midis qeverisë shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB), për financimin e ndërtimit të projektit ambicioz të autostradës Tiranë-Elbasan.
"Ky projekt po mbështetet edhe nga disa institucione të tjera të Gjirit Persik", tha deputeti shqiptar.
Sipas tij, gjatësia e përgjithshme e autostradës Tiranë-Elbasan do të jetë 28 kilometra, e cila në fakt do të shkurtojë distancën mes dy qyteteve të mëdha të Shqipërisë me 30 km për shkak të tuneleve që do gdhenden në brendësi të maleve”, tha Shehu.
Ai theksoi se rruga e vjetër që lidh Tiranën me Elbasanin ka qenë një kalim të ngushtë, i lakuar nëpër sipërfaqet e maleve.
Ndërkaq, Shehu kërkoi mbështetjen e Mbretërisë së Arabisë Saudite edhe për bashkë-financimin e projektit “Rrugët Rurale të Shqipërisë”, që përfshin një total prej 2.2 miliard lekësh, i cili do të përmirësojë cilësinë e jetës në zonat rurale të Shqipërisë.
Ai vuri në dukje se IDB dhe Fondit OPEC për Zhvillimin, së bashku me organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Bankën Botërore, kanë premtuar mbështetjen për këtë projekt.
Ndërkaq, Shehu tha në fund të intervistës së tij, se të dyja palët janë duke punuar edhe për propozimet për të rekrutuar punëtorë nga Shqipëria të tillë si infermierë dhe punëtorëve të kualifikuar.
Deputeti shqiptar theksoi se Riadi dhe Tirana zyrtare, janë në kërkim kështu, edhe për të rritur bashkëpunimin në sektorin e arsimit mes tyre.
***
Projekti vjenez, me kodin 11022, u shpall pak muaj më parë fitues mes 12 të tillëve, për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar në vendin tonë.
Me 88 pikë, ai fitoi kështu konkursit kombëtar për ndërtimin e Parlamentit të ri të Shqipërisë.
Juria që e dha këtë vendim kryesohej nga Johannes Ibelings dhe kishte si anëtarë të saj Imad Hassan, Mario Struzzi, Agron Lufin dhe Florian Nepravishtan.
Projekti me kodin 11022 e paraqet sallën e Parlamentit duke reflektuar hapësirën bazë demokratike si sundimi i fuqisë së elektoratit, duke vendosur publikun mbi pjesëtarët e zgjedhur të Kuvendit pa i hequr të drejtën sallës së madhe, hollit që të jetë qendra metaforike dhe fizike e ndërtesës.
Ndërsa studio nga Viena u shpall fituese, në vendin e dytë u rendit studioja nga Bolonja, ndërsa në vend të tretë studio nga Parisi.
n.e/NOA