English

VMRO-DPMNE dhe BDI fituan zgjedhjet

Shkup, 6 qershor 2011, NOA - VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit dhe BDI e Ali Ahmetit fituan në zgjedhjet e djeshme të parakohshme parlamentare. Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka dhënë rezultatet paraprake nga numërimi i 98 përqind vendvotimeve në mbarë vendim.

Sipas këtij rezultati VMRO-DPMNE fitoi 426 mijë vota, koalicioni opozitar LSDM 358 mijë vota, ndërsa nga partitë shqiptare BDI renditet e para me 108 mijë vota, PDSH 59 mijë vota si dhe partia e sapoformuar RDK 29 mijë vota.

Duke iu referuar të dhënave të paraqitura nga shoqata joqeveritare “Most”, nga votat e numëruara VMRO-DPMNE ka fituar 53 deputetë, LSDM 43 deputetë, BDI 14 deputetë, PDSH 8 dhe RDK 2 deputetë.

Shumë parti të vogla politike nuk do të përfaqësohen në Parlament, pasi nuk arritën fitoren e asnjë mandati, ndërsa shqiptarët kanë humbur pesë deputetë nga përçarja e votës dhe nga pjesëmarrja e ulët në votime.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deklaroi se pjesëmarrja në votime për zgjedhjen e deputetëve të rinj të parlamentit maqedonas ishte 63 përqind, ndërsa zgjedhjet u vlerësuan si të rregullta dhe demokratike, me përjashtim të parregullësive shumë të vogla.

Kryetari i KSHZ-së Boris Kondarko paralajmëroi se sot do të shpallen rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme.

Pas daljes së rezultateve që e nxjerrin atë fitues të zgjedhjeve, kryeministri aktual dhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski deklaroi se “fitorja e këtyre zgjedhjeve ka një peshë të veçantë, për shkak se ajo u fitua në kushte të krizës ekonomike botërore, por sipas tij, kjo fitore jep edhe përgjegjësi më të madhe nga zgjedhjet e deritanishme”.

Gjithashtu edhe Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti uroi elektoratin shqiptar për fitoren në këto zgjedhje, duke theksuar se partinë e tij e presin përgjegjësi të mëdha.

Sa i përket formimit të koalicioneve me partitë maqedonase, Ali Ahmeti theksoi se respekton atë parti që ka fituar verdiktin e elektoratit të tij, duke nënkuptuar se do t’i bashkohet VMRO-DPMNE-së.

NOA/INA

KOMENTE