Luksemburg, 7 qershor 2011, NOA – Ndërkohë që ende është i paqartë burimi i bakterit vrasës E-Coli, i cili mori 22 jetë njerëzish, 21 prej të cilëve në Gjermani dhe shënoi 2 429 raste në plot 13 vende të Europës, ministri italian i Bujqësisë Saverio Romano deklaroi në mbledhjen urgjente të ministrave në Luksemburg se situata e emergjencës nuk po merret nën shqyrtim ashtu siç duhet.
Romano theksoi se bëhet fjalë për një rajon tejet autonom në Gjermani, që deri më tani ka shënuar tre raste epidemish vrastare, atë të mocarelës blu, të dioksinës së kafshëve dhe sot epideminë e E-Colit.
Ministri italian deklaroi se 150 milion eurot e dhëna ndihmë për fermerët nga Bashkimi Europian janë të pamjaftueshme për të tërhequr nga tregu perimet e pashitura, nga frika e bakterit vrasës.
“Mendoj se do të rithirremi për të diskutuar rishtas për kompensimet eventuale, madje me një krizë të tillë nëse nuk identifikohet menjëherë prejardhja e bakterit vrasës do të mbeteshim të gjithë në një situatë të pasigurtë dhe të përsëritshme”, tha ministri italian Saverio Romano.
Komisari për shëndetësinë në BE John Dalli deklaroi para asamblesë parlamentare në Strasburg se nuk është konfirmuar ende se fidanët e sojës të prodhuar në Gjermani, në fermën në Uelzen, janë burimi i epidemisë së Eschrichia Coli, që ka vrarë deri më tani 23 persona.
mit/NOA