English

BE, notë pozitive për zgjedhjet në Maqedoni

Shkup, 7 qershor, NOA - Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Catherine Ashton dhe komisionari për zgjerim, Stefan Fule kanë përshëndetur zgjedhjet paqësore që u zhvilluan të dielën në Maqedoni.

"Mirëpresim organizimin konkurrues, transparent dhe të mirë-administruar të zgjedhjeve parlamentare në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe përgëzojmë popullin, partitë politike dhe autoritetet përgjegjëse për kontributin në këtë proces. Vërejtëm në veçanti pjesëmarrjen e lartë në votime", deklaruan zyrtarët e lartë në një komunikatë të përbashkët për shtyp.

Pas lavdërimeve, ata nuk harruan as ato parregullsi që u vërejtën gjatë procesit."I bëjmë thirrje qeverisë të zbatojë plotësisht konkluzionet dhe rekomandimet e misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR dhe jemi të kënaqur kur shohim se partitë politike i kanë pranuar gjerësisht këto zgjedhje", thuhet më tej në deklaratë.

Në përfundim, Ashton dhe Fyle i bënë thirrje opozitës për konstruktivitet ndërsa qeverisë për fokusim në reforma dhe në zgjidhjen e çështjes së emrit.

"Kandidat për anëtarësim në BE, vendi nevojitet tashmë të vështrojë drejt sfidave dhe shanseve që ka përpara. Qeveria duhet të rifillojë pa pengesa reformat e nevojshme për të vazhduar përparimin drejt BE-së, dhe opozita duhet të kontribuojë në mënyrë konstruktive në parlament për procesin e reformave.

Nënvizojmë edhe rëndësinë e hedhjes së hapave nga ana e qeverisë për garantimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore", theksojnë në komunikatë zyrtarët e lartë të Unionit. NOA/INA

KOMENTE