Tiranë, 7 qershor, NOA - Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se ekonomia shqiptare ka arritur të përballojë sfidat që solli kriza ekonominë në botë dhe në rajon. Ai u shpreh se modeli ekonomik i ndjekur nga Shqipëria rezultoi i suksesshëm, pasi ia doli të përballojë krizën financiare globale. “Sot Shqipëria ka një model të suksesshëm fiskal dhe ekonomik. Ne besojmë tek taksat e ulta dhe kjo do të krijojë një klimë të mirë për biznesin”, tha Berisha.
Deklaratat e kreut të qeverisë u bënë në konferencën e Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE). Ai ka falënderuar dhe kontributin që jep EFSE në zhvillimin e vendeve të rajonit. Berisha u shpreh se ky institucion, “ka dhënë mbi 8300 kredi, të cilat kanë krijuar mijëra vende pune, nxitën prodhimin dhe u shëndrruan në faktor të rëndësishëm ndaj tsunaimit ekonomike botëror”, tha ai.
Duke folur për zhvillimet ekonomike në vend, Berisha u shpreh se ulja e taksave dhe shtimi i investimeve bënë të mundur rritjen ekonomike në Shqipëri.
“Shqipëria është një ekonomi e vogël por dinamike dhe entuziaste e cila fakton se gjatë kësaj krize të rëndë modeli i saj është funksionues. Modeli ekonomik i Shqipërisë bazohet tek një qeveri e vogël dhe mendoj se fakti që ky vend në periudhën e krizës sektori publik ishte 50 për qind më e vogël se vendet fqinje dhe kjo ishte një avantazh për sektorin privat të vendit” theksoi Berisha.
a.k/NOA