Nga Mero Baze
Një i mbetur sakat nga tragjedia e Gërdecit dërgoi dje një letër në Gjykatën e Lartë ku njoftonte se kishte tërhequr padinë ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Lajmi, i cili ka hutuar bile edhe avokatët e viktimës, është skaneri më i mirë i shansit që ka drejtësia në Shqipëri. Shumë njerëz, dje, të irrituar mund të kenë fyer viktimën pse është tërhequr. Të tjerë mund të jenë dëshpëruar nga pamundësia për të ndëshkuar një njeri më pushtet. Fatmir Mediu dhe avokatët e tij janë ndjerë të lehtësuar dhe nga ky pazar duke qenë se është një telash më pak për ta. Por disa milionë shqiptarë janë dëshpëruar jo për fatin personal të viktimës së sakatuar në Gërdec, dhe as për fatin e mirë të Fatmirit në këtë rast, por për fatin e tyre të zi, nëse do tu duhet të ngrenë ndonjë herë kokë për ndonjë padrejtësi që u ka bërë pushteti, deri në shkallët ekstreme siç është vrasja apo vjedhja. Qytetarët shqiptarë kanë vajtuar dje nënshtrimin përfundimtar të drejtësisë ndaj pushtetit edhe për gjërat më banale të mundshme siç është e drejta për tu kompensuar si viktimë e një tragjedie shkaktuar nga njerëzit e kryeministrit.
Në të vërtetë nëse gjykon arsyet se kush duhet të dënohej për Gërdecin dhe kush po gjykohet, është logjike që kjo çështje të mbyllet. Fatmir Mediu është përgjegjës, por jo fajtor për tragjedinë e Gërdecit. Tragjedia u shkaktua nga fakti se i biri i kryeministrit qëndronte pas grupit të biznesmenëve që merreshin me demontimin e armëve dhe nuk pyesnin për rregulla sigurie dhe jetën e njerëzve. Fatmir Mediu ka qenë thjesht njeriu që ka firmosur çfarë ka dashur i biri i kryeministrit. Për heshtjen e tij shembullore ai është shpërblyer nga kryeministri duke u rizgjedhur deputet dhe duke u ribërë Ministër. Për shkak të këtij shpërblimi dhe manovrave me gjykatën, fajtorët politikë të tragjedisë së Gërdecit nuk dolën para drejtësisë. Pjesa tjetër e gjyqit që vazhdon është një rutinë gjyqësore në kërkim të një fajtori që ka vdekur. Fatmir Mediu u mbrojt nga imuniteti politik që i dha Sali Berisha në shkëmbim të heshtjes. Në shkëmbim të heshtjes ai u riciklua në politikë dhe po pompohet dhe duke i shtuar vota në tavolinë vetëm që të ketë atë imunitet politik dhe për ca kohë. Atë që Berisha ja ka dhënë me kosto kaq të lartë për të, duke u përfshirë në gjithë raportet ndërkombëtare si shembull i mosndëshkueshmërisë së krimit, nuk mund t’ia hiqte një viktimë e sakatosur e kësaj tragjedie, me dy djem të rinj entuziastë si avokatë që mendojnë se kanë të drejtë të gjykojnë këdo që shkel ligjin. Edhe pse duket cinike, është e drejtë të themi se nuk mund të pretendojmë dinjitet nga një qytetar i mbetur sakat që mund të jetë keq dhe për bukën e gojës, kur nuk kemi dinjitet nga një Ministër që hesht për krimin e djalit të kryeministrit vetëm për një mandat deputeti dhe imunitet parlamentar, duke mbajtur mbi shpinë 26 të vdekur. Sali Berisha, që ka mundur të blejë heshtjen e Fatmir Mediut, as që e ka problem të sigurojë heshtjen e një qytetari të thjeshtë në nevojë, i cili me këtë rast mund të ketë zgjidhur disa halle të jetës së tij. Me siguri që nuk e kanë kërcënuar, dhe as e kanë terrorizuar të heshtë. I kanë zgjidhur ndonjë hall të tij privat dhe ai ka pranuar t’i bashkohet shumicës së heshtur të këtij vendi që ka filluar të durojë gjithçka.
Nën shembullin e heshtjes së ministrit, kundrejt imunitetit për të mos u gjykuar kurrë, dhe qytetarët e thjeshtë, ata që s’kanë shumë ideale në jetë, janë të gatshëm të shesin heshtjen e tyre. Atë e ka të vështirë ta shesë zonja Durda, të cilës ajo tragjedi i ka marrë djalin e saj të mitur, e kanë të vështirë ta falin shumë prindër si ajo që kanë ngelur pa fëmijë dhe shumë fëmijë që kanë ngelur pa prindër. Por të tjerët dhe mund të dorëzohen. Ne nuk mund t’i fajësojmë ata. Shkaku pse ata janë të dorëzuar është se shoqëria jonë është dorëzuar para krimit, përderisa njeriun që ka vrarë katër shqiptarë 4 muaj më parë dhe kanë lënë dhjetë fëmijë jetimë, mund ta ketë kryetar bashkie me vota të vjedhura pas disa muajsh. Shkaku pse ata janë dorëzuar është se shoqëria jonë duron ende si politikan njeriun që është shfaqur me zë dhe figurë para saj duke bërë pazare me miliona euro për xhepin e tij. Qytetarët e thjeshtë kanë humbur shpresat se drejtësia mund të vendoset në këtë vend, kur ata që kanë vjedhur dhe kanë vrarë, po sillen si elitë dhe viktimat si pjesë e poshtëruar e kësaj shoqërie. Ai qytetar i varfër dhe sakat i Gërdecit ka të drejtë të trembet kur e di mirë kush ishte pronari real i fabrikës që e masakroi dhe çfarë fuqie ka tani ai për të diktuar mbi drejtësinë. Ai qytetar është tërhequr nga e drejta e tij përballë krimit, pasi ka parë se të gjithë ne po dorëzohemi pak nga pak para regjimit. Mos e fajësoni atë njeri për atë që ka bërë. Bashkë me të, secili prej nesh, çdo orë, çdo ditë, çdo javë pranon një pjesë të poshtërimit që po i bëhet në këtë vend, po pranojmë gjykatësit që falin ata që vjedhin mbi 200 milionë euro, po durojmë ata që varrosin të gjallë deri në 26 vet, po pranojmë ata që vrasin me dorë të tyre 4 vetë në bulevard, dhe ata që numërojnë milionat e vjedhura para syve tanë. Kur ne të gjithë bashkë falim kaq shumë për asgjë, s’kemi pse fajësojmë një njeri të gjorë që ka falur një padrejtësi për diçka që ndoshta i nevojitet për të mbijetuar. Gjesti i tij është akuza më e madhe për pushtetin, akuza më e madhe për regjimin dhe drejtësinë farsë në këtë vend. Nënshtrimi i viktimës para fajtorit në një shoqëri të lirë, është një kambanë alarmi se liria ka vdekur dhe e drejta është viktima e parë e këtij regjimi. Dorëzimi i një prej viktimave të Gërdecit, është shenja se shoqëria ka nisur të bëjë pazar me të keqen dhe në këtë pazar dihet që fiton gjithmonë e keqja.
* Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA