Nga Kim Mehmeti
Shqiptarët e Maqedonisë demonstruan zgjedhje të nivelit më të lartë demokratik. Fushata parazgjedhore dhe dita e votimit kaluan pa konfrontimet e rëndomta të mëparshme, pa sharje e ofendime dhe votuesit thuajse u zbavitën duke shëtitur nga mitingu i njërës parti në atë të tjetrës. Me çka, u krijua bindja gënjeshtare se jo që ishin shumë shtatë subjektet politike shqiptare që garuan në këto zgjedhje, por kishte popull edhe për shtatë të tjera. Aq më shumë, votuesit u ndjenë të kënaqur, ngaqë jo vetëm që shëtisnin falas nga një qytet në tjetrin, por shumica e tyre morën nga 50 euro nga më shumë parti, e që pastaj të mos votonin për asnjërën. Gjë që zgjedhjet e këtushme i bënë gjithnjë e më tërheqëse për popullin e varfër.
Në tërësinë e kulturës politike “skandinave” parazgjedhore dhe zgjedhore, duhet gjithsesi përmendur edhe debati televiziv mes liderëve partiakë shqiptarë, ku mungonte i katërti – kryetari i PDSH-së – debat që do mund t’u shërbente si shembull edhe shoqërive të tjera shqiptare. Por, shembulli i mirë për të tjerët merr fund këtu. Nga këtu e tutje çdo gjë zhvillohet në stilin “alla shqiptarçe”, e që ka të bëjë me atë që autori i këtij teksti e ka përmendur në çdo shkrim të tij lidhur me këto zgjedhje: se më e keqja shqiptarëve të këtushëm u ndodhi ende pa filluar zgjedhjet - duke konkurruar në to me shtatë subjekte politike. Çka përfundoi me derdhjen e votave dhe me mosdaljen e shqiptarëve në votim. Derdhje votash dhe mosvotim që përfundoi me pesë mandate më pak deputetësh shqiptarë në përbërjen e ardhme të Parlamentit të Maqedonisë. Përbërje në të cilën do mungojë edhe së paku një deputet nga diaspora, që do mund ta fitonin shqiptarët, sikur partitë e këtushme të mos ishin aq të pakujdesshme ndaj lojërave që ua përgatiti Gruevski. Por, si çdo e keqe, edhe gara mes shtatë subjekteve politike shqiptare solli një të mirë: i bëri partizanët partiakë të jenë më të matur mes veti, ngaqë nuk e dinin si do dilte fundi dhe linin hapur shtegun për koalicione paszgjedhore.
Nëse shihen numrat e deputetëve, BDI-ja është fituesi absolute në bllokun politik shqiptar. Nëse numëron votat, partitë opozitare shqiptare dhe BDI-ja kanë thuajse numër të barabartë mbështetësish. Por, nëse shkon përtej këtyre numrave, e sheh se më të zëshëm janë ata mbi gjashtëdhjetë për qind shqiptarë që nuk votuan fare. Gjë që rezulton me të vërtetën se, të gjitha partitë pjesëmarrëse në këto gara morën aq vota sa në zgjedhjet e mëparshme merrnin së bashku BDI-ja dhe PDSH-ja. Gjë që mund të ketë vetëm dy domethënie: o mungesën e lidershipit, o mungesën e ofertës së duhur.
Kur jemi te fitorja e BDI-së, duhet thënë qartë: “pakica” e trupit votues shqiptar, në shumicë e verifikoi koalicionit qeverisës që ndërtoi përmendore e kisha. Pra, shumica e shqiptarëve që votuan thanë se atyre nuk u ka penguar fare përbuzja që u bëri Gruevski, se janë të gatshëm edhe tutje të durojnë këtë politikë vasaliteti të partive shqiptare në pushtet. Por, vota e tyre mund të ketë edhe domethënien e besimit se diçka mund të ndryshojë dhe se e humbura mund të kompensohet, gjë që ngjan me orvatjen që ta kthesh kohën mbrapsht. Por, sido që të jetë, votuesin askush nuk ka të drejtë ta qortojë për vendimet e tij. Votuesi është më i mençur se të gjithë dhe askush nuk mund as ta përbuzë, as ta mëkëmbë vullnetin e tij, ngaqë ata që kanë dalë të votojnë, me asgjë nuk i janë fajtor shumicës së trupit votues që ka vendosur të presë liderin e saj apo alternativën e saj politike.
Te pala maqedonase zgjedhjet bindshëm i fitoi VMRO-DPMNE-ja. Siç duket, maqedonasit kanë vendosur që ta ecin rrugën nëpër të cilën udhëtoi Serbia, duke u nisur nga populizmi më primitiv, që më në fund të arrijë këtu ku është sot: e zënë peng nga e kaluara, nga e cila nuk dilet aq lehtë. Gruevski tani nuk ka shumicën e dikurshme dhe ka vetëm 55 deputetë. Pra, tani ai është më i varur nga partitë shqiptare dhe nuk ka si mos ta ftojë në koalicionin qeveritar partinë legjitime që zgjodhën shqiptarët e këtushëm – BDI-në. Dhe duhet pritur që Gruevski nuk do përsërisë gabimet e mëparshme, kur vetëm për ta ulur çmimin e subjektit politik shqiptar bënte bisedime për koalicion qeveritar edhe me BDI-në, edhe me PDSH-në. Këtë nuk duhet ta bëjë ngaqë partive shqiptare u bie në hise vetë të vendosin se a do bashkohen dhe ashtu të bashkuara do bëhen pjesë e qeverisë së Gruveskit, apo do veprojnë si deri më tani: me BDI-në qeveritare dhe PDSH-në në opozitë. Madje, edhe pse më të dobëta se kudo qoftë, partitë shqiptare kanë një përparësi: të kushtëzojnë VMRO-DPMNE-në si kurrë më parë, ngaqë numri i përbashkët i deputetëve shqiptarë mjafton që partia opozitare maqedonase, LSDM-ja të vijë në pushtet. Andaj, liderët shqiptarë partiakë, sikur të ishin të mençur, tani do duhej t’i kishin mbyllur telefonat celularë, me çka do e çonin Gruevskin t’i kërkonte nëpër fshatrat e Maqedonisë perëndimore e t’u premtonte se nuk është duke kërkuar vasalë të nënshtruar, siç i kishte gjer më tani BDI-në e PDSH-në, por bashkësundues të shtetit që do jenë të barabartë me palën maqedonase.
Por sidoqoftë, t’i parashikosh gjërat në Maqedoni, është si të merresh me paragjykimin se kur një vullkan do mund të shpërthejë. Nëse ka diçka që gjer më tani është e qartë, ka të bëjë me zgjedhjet mirë të organizuara dhe me përfitimet e vogla që nxorën votuesit shqiptarë, duke marrë ndonjë lekë nga partitë konkurruese. Dhe shikuar nga ky këndvështrim, mund të thuhet se humbën partitë, por fituan shqiptarët. Fitores së tyre i duhet shtuar edhe zëri i heshtur i shumicës së votuesve shqiptarë që nuk doli në zgjedhje. Atë zë duhet ta dëgjojnë kujdesshëm BDI-ja dhe PDSH-ja, sepse për të dyja ato mund ta ketë edhe domethënien se do mund të mbeten vetëm me aq votues sa kanë të punësuar partizanë të tyre nëpër administratën shtetërore. Me çka, shqiptarët e këtushëm do ndahen në njerëz të “shtetit” dhe të “jashtëligjshmit”. Do ndahen ashtu siç ishin ndarë edhe në periudhën e socializëm. E që mund të përfundojë shumë keq për shtetin e për të gjithë që jetojnë në të, pavarësisht se për cilën parti kanë votuar.
Për fund, atë që duhet thënë në fillim: jo vetëm te shqiptarët e Maqedonisë, por thuajse çdokund në botë, pakica sundon shumicën. Por, ajo që i dallon sundimet e këtushme me ato të botës ka të bëjë me të vërtetën se shtetet e mirëfillta demokratike nuk i drejton vetëm qeveria, e as vetëm partitë fituese, por institucionet e shtetit që kanë administratë që mbështetet mbi ligjet e jo mbi vullnetin e kryepartiakëve në qeveri. Pra, në shtet demokratike, fituesi respekton vullnetin e popullit “opozitar” dhe “shumicës” së heshtur. Në Maqedoni, si edhe në shtetet e tjera të këtyre hapësirave, krejt është ndryshe dhe betejat politike u ngjajnë luftërave të mesjetës: fituesi e ndan mes veti tërë thesarin e “grabitur” nga humbësit. Gjë që edhe i bën partitë e këtushme të ngjajnë në kompani private, që kanë kryepronarin dhe aksionarët e tjerë. Gjë që edhe i çon partitë e këtushme të mos e shohin se sa më e lehtë bëhet fitorja e tyre, aq më të paktë janë ata që votojnë.