Tiranë, 7 qershor 2011, NOA – 10 ditë pas ndarjes nga jeta në moshën 80-vjeçare të ish-presidentit hungarez Ferenc Madl, Kryeministri Sali Berisha ka shprehur sot ngushëllimet e tij në librin e çelur enkas në ambasadën hungareze në Tiranë.
Më parë kryeministri vizitoi ambasadën hungareze e në emër të qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar i shprehu ngushëllimet më të sinqerta, familjes së të ndjerit, qeverisë dhe kombit hungarez, për ndarjen nga jeta të njërit prej politikanëve të mëdhenj hungarez.
Shefi i qeverisë tha se ish-presidenti Madl do të kujtohet si një mik i shquar i kombit shqiptar dhe Shqipërisë.
Siç e ka në traditë, kryeministri la edhe një shënim në librin e ngushëllimeve, ku vlerësoi se “vepra e Presidentit hungarez Ferenc Madl në drejtimin e Republikës së Hungarisë do të nderohet gjithnjë nga kombi hungarez dhe miqtë e tij kudo në botë”.
Ish-presidenti Ferenc Madl, njohës i shkëlqyer i ligjeve evropiane, i të Drejtës Private Ndërkombëtare, apo i asaj të Drejtës Tregtare Ndërkombëtare prej vitit 1999 ishte njëri nga këshilltarët shkencorë të qeverisë së Viktor Orban.
Ai u zgjodh si Presidenti i Hungarisë në 6 qershor të vitit 2000, një detyrë të cilën e mbajti për pesë vjet.
Madl u bë i dyti president i Republikës së Hungarisë, duke i shërbyer vendit të tij nga 4 gushti i vitit 2000 deri në 5 gusht 2005.
Ish-Presidenti Ferenc Madl ndërroi jetë në 29 maj.
mit/NOA