Shkup, 7 qershor 2011 - Kryetari i partisë Demokracia e Re Imer Selmani ka njoftuar se jep dorëheqje nga posti, duke marrë përgjegjësinë që partia e tij nuk fitoi asnjë mandat deputeti.
“Dua të njoftoj opinionin se si akt moral sot para organeve të partisë kamë paraqitur dorëheqjen nga posti i kryetarit.
Verdikti i popullit është i drejtë pa marrë parasysh nëse ju pëlqen politikanëve ose jo”, deklaroi me këtë rast Selmani, duke falënderuar qytetarët që në këto zgjedhje kanë votuar Demokracinë e Re, raporton korrespondenti i Tv Klan në Shkup.
Partia e tij, në zgjedhjet e 5 qershorit fitoi rreth 20.000 vota në nivel shtetëror, mirëpo nuk siguroi asnjë mandat sepse ato ishin të shpërndara në katër njësi zgjedhore.
Selmani është kryetari i dytë i një partie që jep dorëheqje për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhje, pas atij të Partisë Liberal Demokrate.
DR deri tani kishte 4 deputetë në Parlament, dhe nga rezultatet e të gjitha anketat parazgjedhore pritej që në Parlamentin e ri të ketë 2 deri 4 deputetë.