English

Meta: KQZ, konsensus i PS-PD

Tiranë, 7 qershor 2011, NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi sot se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është pjesë e konsensusit të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, duke nënkuptuar se nuk ka asnjë arsye që njëra parti e konsensusit për Kodin Zgjedhor të ngrejë alibi për paligjshmëri të rezultatit të zgjedhjeve.

Gjatë mbledhjes së kryesisë së LSI-së, Meta theksoi se “KQZ është konsensus i PS-PD dhe të gjithë anëtarët e KQZ pavarësisht nga janë propozuar janë vendosur me konsensus të plotë të PD dhe PS”.

Meta apeloi se asnjë politikan nuk ka të drejtë të ngrejë pretendime mbi paligjshmërinë e rezultatit.

“Nuk mund të jetë Kolegji Zgjedhor një institucion i mirë kur rrëzon Rruzhdien se i intereson opozitës dhe institucion i korruptuar kur merr një vendim të drejtë në përputhje me kërkesën 2-vjeçare të opozitës”, risolli në vëmendje kreu i LSI-së Ilir Meta.

Kreu i LSI-së nënvizoi se akuzat ndaj KQZ-së vijnë për shkak të papjekurisë së politikës shqiptare që nuk arrin dot që mbi interesat partiake e vetjake të vërë interesat kombëtare.

Sipas Metës mosdalja e qytetarëve në rrugë për të kundërshtuar rezultatin tregon më së miri se qytetarët i janë larguar alternativës së rrugës.

“Ky mesazh është ndaj atyre që u përpoqën përmes presionit të rrugës duke nxitur konfrontim me institucionet”, tha Meta.

Meta rikujtoi se procesi zgjedhor i 8 majit vlerësua nga partnerët si procesi më i pastër e më transparent që ka zhvilluar ndonjëherë Shqipëria, duke argumentuar se për këtë kanë meritë edhe qytetarët që votuan qetësisht.

Ai nënvizoi se LSI ka pranuar rregullat e lojës të vendosura nga dy partitë e mëdha në vend, duke theksuar se që në krye të herës LSI ka qenë një forcë politike luajale edhe kur u bënë përpjekje për ta zhdukur si forcë politike.

mit/NOA

KOMENTE