Tiranë, 7 qershor 2011, NOA – Pasi vizitoi trojet e vendlindjes së të parëve të tij Kastriotë, në Dibrën e Madhe dhe Peshkopi, pasaardhësi i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti është pritur në një takim edhe nga ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto.
Giorgio Maria Castriota Scanderbeg gjatë takimit shprehu përshtypjet mbresëlënëse nga vizita e tij në trojet e Kastriotëve, dhe i dorëzoi kryediplomatit Haxhinasto një dosje me dokumentet zyrtare të qeverisë italiane, ku dëshmohet prejardhja e tij prej heroit tonë kombëtar.
Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme vuri në dukje se heroi ynë kombëtar është një vlerë dhe simbol i përbashkët për gjithë shqiptarët.
“Promovimi i Skënderbeut është njëkohësisht promovim i vlerave tona kombëtare. Gjergj Kastriot Skënderbeu ka qenë një kalorës i kristianizmit, por dhe i vlerave evropiane”, theksoi ministri Haxhinasto.
Bashkëbiseduesit theksuan domosdoshmërinë e rritjes së përpjekjeve për rikthimin sa më të plotë në kujtesë të popullit italian të figurës së heroit kombëtar shqiptar dhe njëkohësisht heroit evropian, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Pasaardhësi i Skënderbeut, Giorgio Maria Castriota Scanderbeg shoqërohej në këtë vizitë në Shqipëri nga bashkëshortja e tij Stefania Monachello.
mit/NOA