Tiranë, 8 qershor 2011, NOA – Në orët e mbrëmjes së të martës janë ekzekutuar në kryeqytet 16 vendime të Gjykatës së Tiranës për transmetimet e paligjshme të sinjaleve të disa Kompanive Televizive Dixhitale si Digitalb, Sky, Nova, etj.
Policia e Tiranës ka ndaluar 16 persona të akuzuar për mashtrim kompjuterik përmes operacionit policor të koduar “Trasmetimi”.
Falë këtij operacioni i ndërmarrë në orët e vona të darkës u kontrolluan në Tiranë disa subjekte tregtare dhe banesa, nën dyshimin se nëpërmjet pajisjeve elektronike dhe internetit kanë transmetuar në mënyrë të paligjshme sinjalin e disa Kompanive Televizive Dixhitale.
Në kuadër të “Transmetimit” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale pajisjet e mëposhtme: 74 copë aparate “Dreambox” të klonuar për marrjen dhe transmetimin e sinjaleve televizive, 27 copë aparate “Dream Multimedia”; 1 aparat “Sky”; 8 copë Sisteme kompjuterike të përshtatur si servera, për administrimin e rrjetit transmetimit; 2 njësi kompjuterike lap-top; 1 Modem; 96 CD dhe 7 karta dixhitale.
Për akuzën e mashtrimit kompjuterik do të ndiqen penalisht 16 persona, të cilët i kanë vjedhur në mënyrë të paligjshme sinjalin e transmetimit Kompanisë
Televizive Dixhitalb.
Aktualisht policia e Tiranës po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet, duke riprogramuar aparatet digitale nëpërmjet sinjalit të internetit dhe duke marrë të dhëna në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive dixhitale.
mit/NOA