Tiranë, 8 qershor 2011, NOA - Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit Genc Pollo autorizoi sot nisjen e garës për një licencë të dytë 3G me çmimin dysheme 12.5 milionë Euro.
MITIK bën me dije se procedurat për shpalljen e fituesit të kësaj liçence do të ndiqen nga AKEP.
Tenderi për liçencën e re 3G do të çelet ditët e ardhshme e do të administrohet nga AKEP.
Licencën e parë 3G e fitoi Vodafone me ofertën 31.4 milionë Euro, në muajin nëntor të 2010-ës.
Kështu ministri Pollo autorizoi Autoritetin e Komunikimeve Elektronike e Postare, AKEP, të hapë garën për dhënien e një liçence 3G për operatorët e telefonisë së lëvizshme.
Çmimi dysheme i kësaj gare është 12.5 milionë Euro dhe kushtet ligjore e teknike janë po ato të garës për licencën e parë 3G, që u hap në vjeshtën e vitit të kaluar, një garë e fituar nga kompania Vodafone Albania.
Përdorimi i teknologjive të brezit të tretë (të njohura si 3G apo Third Generation) nga kompanitë celulare sjell një kapacitet shumë më të lartë në transmetimin e të dhënave në telefonat e pajisjet celulare dhe rrit shumë herë shpejtësinë e internetit në këto aparate.
Duke aplikuar teknologjitë 3G hidhet një hap tjetër i rëndësishëm në realizimin e projektit Shqipëria Digjitale.
Dhënia e liçencave 3G është një proces hapash suksesivë, që vijon në kohë, siç dëfton edhe përvoja e vendeve të tjera që kanë aplikuar më herët teknologjinë 3G.
Siç është dëshmuar edhe më parë, Qeveria edhe në këtë rast inkurajon konkurrencën e nuk toleron situata monopolistike në treg.
mit/NOA