English

Berisha: Rriten kuotat në arsimin e lartë, të rendet pas cilësisë

Tiranë, 8 qershor 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha ia kushtoi pjesën e parë të mbledhjes së qeverisë, zhvillimit të arsimit të lartë në vend. Kryeministri deklaroi se arsimi i lartë në vend ka bërë një progres të madh dhe meritë për këtë kanë stafet pedagogjike, që po e transformojnë këtë sistem në të mirë të zhvillimit kombëtar”.

“Kjo reformë jetike për ‘Shqipërinë vend i zhvilluar’, po ecën në mënyrë të vendosur”, tha kryeministri, duke shprehur vendosmërinë që arsimi të rendë drejt cilësisë.

“Në këtë proces ne do të bëjmë gjithçka, të ndërmarrim një kthesë vendimtare në shërbim të cilësisë. Lufta dhe përpjekja e stafeve të universiteteve tona publike e private është përcaktuese për suksesin e arsimit tonë të lartë. Në këtë stad ne nuk mund të matemi me stadet e vendeve të zhvilluara, po ne nuk do të kemi asnjë objektiv tjetër përveç standardit të OECD-së”, nënvizoi shefi i qeverisë.

Ai apeloi që arsimi shqiptar duhet t’i nënshtrohet të gjitha proceseve të klasifikimeve.

“Të pranojmë të klasifikohemi, pavarësisht se si mund të dalim. Ne duhet të bëjmë përpjekje të madhe për të arritur standardet e vendit të zhvilluar”, tha kryeministri.

Sipas tij, Shqipëria në arsimin e lartë ka arritur suksese, por rendja pas cilësisë është përcaktuese për suksesin.

Kryeministri deklaroi se këtë vit janë rritur me 9 përqind kuotat në Universitetet shqiptare, që në shifra përbëjnë 1600 kuota më shumë se vitin e shkuar.

Shefi i qeverisë bëri me dije se 39 mijë vajza e djem që marrin Maturën Shtetërore këtë vit do t’i drejtohen dyerve të universiteteve.

Zoti Berisha tha se universitetet shqiptare do të jenë të hapura për ta në bazë të meritës.

“Ne dëshirojmë që ata të përfitojnë nga kjo politikë, që synon t’i japë mundësinë të rinjve të shkollohen në universitetet tona”, tha kryeministri.

Kryeministri theksoi se janë 192 degë e profile, që ngërthejnë një përshtatje të vazhdueshme të arsimit tonë universitar me tregun e interesat e tij.

Sipas shefit të qeverisë një nga aspektet më pozitive të këtyre pranimeve, është se 1/3 e studentëve, plot 4500 janë përqendruar në degën e Teknonologjisë së Informacionit, ndërkohë që sikundër tha rritje të ndjeshme kanë kuotat për gjuhët e huaja, veçanërisht anglishten.

“Mendoj se arsimi i lartë në vend po i përgjigjet kërkesave në rritje. Një nga drejtimet themelore të “Shqipërisë Dixhitale, është arsimi në fushën e teknologjisë së Inforcaionit, që do t’u ofrojë shqiptarëve shërbimet më moderne. Shqipëria dixhitale është një infrastrukturë që po ndërtohet. Dha fakti që këtë viti nisin studimet në këtë fushë 4500 studentë përbën një risi, por edhe shtimi i kuotave në degët e inxhinierisë është një tjetër anë e mirë”, nënvizoi kryeministri Berisha.

Ai vërejti se Revolucioni industrial në vend kërkon ekspertë në të gjitha fushat, duke argumentuar se arsimi i lartë po përshtatet gjithnjë e më mirë me misionin që ky revolucion ka për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar.

mit/NOA

KOMENTE