Tiranë, 8 qershor 2011, NOA – Beteja për Tiranën mbetet rishtas në dyert e Kolegjit Zgjedhor, i cili të hënën e ardhshme në 13 qershor do të shqyrtojë ankesën e dytë të Partisë Socialiste, që kërkon rrëzimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sa i përket rezultatit final të Tiranës, i përmbysur pas leximit të votave të kontestuara dhe ndryshimit të tabelës përmbledhëse për kryeqytetin.
Në aktpadinë e dytë, e depozituar në Kolegj orët e pasdites së të hënës, partia më e madhe opozitare kërkon rrëzimin e rezultatit të KQZ-së ku doli fitues me 81 vota kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha, një kërkesë kjo e argumentuar me shkeljen nga KQZ të disa parimeve kyçe për zgjedhjet e lira.
Sipas PS-së KQZ ka cënuar standardet kushtetuese për procesin e rregullt të numërimit të votave, për sigurinë juridike të votës, parimin e barazisë së votës, parimin e fshehtësisë së votës si në rastin e publikimit të votës së presidentit Bamir Topi, si dhe lirinë e votuesve për t’u shprehur lirisht.
Kolegji Zgjedhor shpalli të premten e 3 qershorit vendimin e tij për ankesën e parë të PS-së, duke pushuar këtë ankimim e duke lënë në fuqi vendimin e marrë nga KQZ për vlefshmërinë e numërimit e vlerësimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara, përmes të cilave kandidati demokrat Lulzim Basha fitoi me 81 vota.
KQZ me këtë vendim u shndërrua në KZAZ-në e madhe të kryeqytetit, duke bërë që të përmbysej rezultati i dalë nga përmbyllja e procesit të numërimit të votave për kryebashkiakun e Tiranës në 11 KZAZ-të e Tiranës, ku kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama doli fitues me 10 vota më shumë se Lulzim Basha.
Pikërisht ky rezultat kërkohet të rikthehet nga Partia Socialiste, duke argumentuar se kjo parashikohet në Kodin Zgjedhor.
Pak ditë para shqyrtimit në Kolegj të ankesës së PS-së, mbrëmë, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i drejtoi një letër të hapur qytetarëve për Kolegjin Zgjedhor, ku theksonte se “nga dhënia ose jo e drejtësisë për këtë çështje varet fati i punëve të Shqipërisë e të shqiptarëve për kohë të tëra në vijim. Nga frika ose kurajoja e gjykatësve, nga pajtimi me të keqen a zgjedhja e duhur profesionale, nga një vendim i padrejtë apo nga një vendimmarrje e drejtë për këtë çështje, do të përcaktohet se si do të ndjehet e do jetojë çdo shqiptar paskëtaj, se si do të jetë qeverisja dhe opozita e vendit, se si do të funksionojë parlamenti e drejtësia në këtë vend, se si do të sillet ky shtet me qytetarët dhe se si komuniteti ndërkombëtar do ta shohë e trajtojë shtetin shqiptar”.
Sipas Ramës, një tjetër vulë e gabuar e Kolegjit Zgjedhor, do ta fuste Shqipërinë në një rreth kritik dhe integrimin e saj europian nën një pikëpyetje shumë të madhe, ku Shqipëria do të humbiste padyshim trenin e radhës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian.
Kryetari i Partisë Socialiste duke folur për vendimin e dhënë iu referua postzgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2009, duke thënë se në vitin 2009, Kolegji Zgjedhor bëri një padrejtësi flagrante, në gjykimin e ankesës së opozitës mbi refuzimin nga KQZ për hapjen e kutive të votimit me kërkesën e dy anëtarëve.
mit/NOA