Prishtinë, 8 qershor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi së bashku me Presidenten e vendit, Atifete Jahjaga zhvilluan një drekë pune ku theksuan vullnetin dhe përgjegjësinë e plotë institucionale dhe politike për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyer mes tyre për ecurinë e vendit.
Gjatë bisedës Thaçi vlerësoi angazhimin e Presidentes Jahjaga, në funksion të shtimit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.
Më tej ai theksoi se pas aprovimit nga Qeveria të Strategjisë për përmbylljen e procesit të njohjeve, do të rritet koordinimi mes Qeverisë së Republikës së Kosovës, Presidencës, Kuvendit, shoqërisë civile dhe procesi i njohjeve të reja do ta ketë rrjedhën e vet edhe më rezultative.
Ndër të tjera në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, për procesin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe për aspekte të tjera të politikave zhvillimore dhe integruese të vendit.
Në përfundim ë dy biseduesit theksuan se, duhet të vazhdojë puna e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e plotë të kritereve dhe standardeve evropiane, në kuadër të Axhendës Evropiane të Republikës së Kosovës.
a.y/NOA