Prishtinë, 8 qershor 2011, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga priti në një takim Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gerguri, ku vlerësoi rolin e kësaj banke në zhvillimin e një sistemi bankar të qëndrueshëm në Kosovë.
Në vijim Jahjaga e quajti lajm të mirë faktin që bankat tregtare në Kosovë e përballuan pa pasoja të mëdha krizën financiare e cila shkaktoi falimentimin e shumë bizneseve në tërë botën.
Sakaq ajo i bëri thirrje Bankës Qendrore dhe përmes saj edhe bankave tregtare në Kosovë që të punojnë në drejtim të përmirësimit të kushteve për përkrahjen edhe më të madhe të bizneseve në Kosovë, duke shtuar se forcimi dhe rritja e bizneseve private është parakusht për zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe së këndejmi edhe për konsolidimin e mëtejshëm të sistemit bankar.
Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gerguri e njohu Presidenten Jahjaga me punën e institucionit që ai drejton dhe e siguroi atë për forcimin e mëtejmë të pavarësisë dhe të profesionalizmit të BQK-së, në shërbim të një sistemi bankar stabël.
Sipas saj, roli i BQK-së do të vazhdojë të jetë kyç në mirëmbajtjen e stabilitetit financiar të Kosovës. Në këtë kuadër, shtoi ajo, është i rëndësishëm ndërtimi i kapaciteteve të nevojshme në BQK për t’i ofruar ndihmën e nevojshme sistemit bankar.
a.y/NOA