Nga Alban Daci
Kudo në Europë ka shqiptarë të cilët jetojnë, punojnë studiojnë. Kudo që ndodhen shqiptarët përpiqen me çdo kusht të jenë krenar për identitetin e tyre të qenit shqiptar si dhe mundohen sa të mundin të tregojnë se janë të integruar në shoqëritë ku janë futur për të jetuar dhe punuar.
Edhe pse shumica e tyre kanë vite që tashmë jetojnë në Europë, e cila është bërë një shtëpi e dytë, nuk janë të ndarë dhe nuk mund të ndahen shpirtërisht me vendin e tyre Shqipërinë, e cila herë qëndron si një dritë që vetëm vjen e largohet për ta dhe herë duket sikur ajo do të jetë një shkëndijë shprese për ta dhe të afërmit e tyre.
Shqiptarët, edhe pse ndodhen në Europë janë shumë të interesuar se si po ec vendi i tyre, si po shkon procesi i integrimit, se si po shkon dialogu politik, a po zhvillohet me ritme te shpejta... e kështu me radhë.
Momenti i hyrjes së Shqipërisë në NATO ishte një moment krenarie për shumë shqiptarë, të cilët ndodhen në Europë. Sapo Shqipëria hyri zyrtarisht në NATO, shqiptarët që ndodheshin në Europë, filluan të krenoheshin dhe të zgjeroni supet duke argumentuar me qytetarët e vendeve ku kanë emigruar se edhe Shqipëria tashmë është e zhvilluar sepse është anëtare e NATO-s.
Por kjo ëndërr u bë edhe me madhe, kur Shqipëria përfitoi “Lëvizjen pa viza” në “Zonën Schengen” të Bashkimit Europian. Ky akt u dha më shumë dinjitet, më shumë liri dhe i bëri të ndjehen të barabartë dhe të pa diskriminuar me popujt e vendeve të tjera të kontinentit europian, të cilët kishin vite pse jo edhe dekada që e kishin përfituar këtë proces.
Shqiptarët, tashmë pas procesit të lëvizjes së lirë nuk do të qëndroni më me radhë të gjata dhe të diskriminuar në portat e hyrjes në Bashkimin Europian. Shqiptarët nuk do të kishin më nevojë të jepnin lekë për të blerë një vizë, nuk do të qëndronin më me radha të gjata para një selie diplomatike për të marrë një vizë.
Nuk do të rrezikonin më, të vdisnin vetëm për faktin, se nuk arrinin të siguronin një vizë kurimi për tu kuruar në një vend të Bashkimit Europian. Shqiptarëve, më në fund do ju hiqej nofka e klandestini, skllavit të kohërave moderne që udhëton përmes vdekjes dhe dëshpërimit për një jetë më të mirë.
Pra, për shumë shqiptarë që jetojnë në Europë, dukej se më në fund Shqipëria kishte marrë rrugën e duhur, atë të zhvillimit dhe të integrimit në Bashkimin Europian. Por ky optimizëm real pothuajse u shuajt pa kaluar shumë kohë. Kjo shuarje ndodhin me rastin e 21 janarit. Shumë shqiptarë thanë: “Mos ndodhi përsëri. Po pikërisht tani duhet të ndodhte? Pse gjithmonë ne shqiptarëve sapo fillojmë të gëzojmë duhet të na ndodh gjithmonë diçka që të na kthej në hidhërimin e zakonshëm të përjetuar për shumë kohë me radhë”.
Sapo ndodhi 21 janari, shtypi europian u mbush me rreshta të gjata kritike për Shqipërinë dhe shqiptarët, për politikën shqiptare. Për shqiptarët që jetonin në Europë prej kohësh, kjo ishte një “Tragjedi” nga e cila nuk kishin çfarë të thoshin, veçse të turpëruar të ulnin kokën dhe të heshtnin.
Me pak fjalë, Shqipëria u prezantua përsëri para syve si një vend që ka probleme të mëdha të natyrës politike për të zgjidhur, duke u nisur që nga mungesa e dialogut deri tek koncepti i një politike të përbashkët shqiptare, kur bëhet fjalë për interesa esencial nacionale.
Pa kaluar shumë kohë nga ngjarjet e 21 janarit, shqiptarët në Europë patën një shans tjetër për tu ndjerë përsëri krenar dhe të rrisnin shpresën se Shqipëria do të jetë shumë shpejt pjesë e Bashkimit Europian. Ky shans ishte rasti i zgjedhjeve për Pushtet Vendor të realizuar me datë tetë maj.
Në procesin e votimit, qytetarët shqiptarë treguan një maturi të lartë politike dhe një dashuri të madhe për demokracinë. Megjithatë, ky ishte vetëm fillimi i një shprese që shumë shpejt do të zbehej. Zgjedhjet mbaruan, institucionet dhanë fjalën e tyre, por një pjesë e politikës shqiptare nuk është dakord dhe bën kërcënime për luftë. Ky është absurditeti më i fundit i politikës shqiptare, ku në momentin e një qetësie të duhur për të ecur përpara, bëhen thirrje për luftë dhe për përballje.
Kush do të përballet dhe më kë do të përballet? Sipas një analize të thjeshtë i bie të përballen shqiptarët me shqiptarët, vëllai më vëllain, kushëriri më kushëririn dhe kjo duhet të ndodh vetëm për faktin, se dikush që ka humbur nuk e pranon dhe dëshiron të qëndrojë me çdo kusht atje nuk mund të qëndrojë më.
Tani është fillimi i sezonit të verës dhe shumë shqiptarë që jetojnë në Europë duan të kthehen në Shqipëri për të kaluar pushimet dhe për të qëndruar sikur edhe për pak kohë në vendin e tyre të origjinës. Ato, nuk duan të gjejnë një Shqipëri të trazuar për shkak të kapriçove të politikës, ose të disa politikanëve që nuk e kanë kulturën të besojnë se në politikë nuk ka gjithmonë fitore, por edhe humbje nëse nuk din të qeverisës dhe nuk mbron interesat e qytetarëve që të kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar.
Shqiptarët që jetojnë në Europë dhe Amerikë, kanë dëshirë dhe shpresojnë që Shqipëria t’i kthehet normalitet dhe të vazhdojë në procesin e Integrimit Europian, të zhvillohet ekonomikisht dhe të stabilizohet demokratikisht duke marrë pamjen e një vendi europian dhe modern ashtu siç i takon me qenë.
Thirrja e shqiptarëve kudo që ndodhen për të gjetur stabilitetin politik dhe për të vazhduar procesin e rëndësishëm dhe të pashmangshëm të reformave, vjen dalë nga dalë, si një jehonë e largët në veshët e disa politikanëve të pandreqshëm, të cilët janë në gjendje të prishin gjithçka dhe çdo gjë për pushtetin e tyre personal politik.
Kjo jehonë nuk do të jetë gjithmonë e largët dhe dobët, por ajo mund të bëhet e fortë dhe guximshme, nëse politika shqiptare nuk e kupton se nuk mund të vazhdohet më me të njëjtin stil që ka pasur gjithmonë, atë të shpërfilljes së qytetarëve të saj.
Jehonat e sotme sociale diku të heshtura dhe të mençura, dhe diku të forta dhe të vendosura, nuk janë vetëm negative, por tregojnë se qytetarët shqiptarë marrin frymë dhe duan të jetojnë në demokraci e paqe si popujt e tjerë të kontinentit europian. Dikush këto jehona i dëgjon dhe përpiqet t’i respektojë, dikush tjetër bën sikur është i shurdhër, por nuk e kupton se me këtë gjest po demonton kokën e tij.
Kjo jehonë e largët nuk po vjen vetëm nga shqiptarët që jetojnë prej vitesh në Europë, të cilët kanë lidhje shpirtërore me Shqipëri, por po vjen edhe nga Brukseli, i cili disa herë po thërret për dialog si dhe për të respektuar vullnetin e qytetarëve, të cilët duhet të jenë objektivi i politikës shqiptare dhe jo pasojë e kësaj të fundit.