English

Kërkoi 200 mijë euro dëmshpërblim ndaj Dick Martit, gjykata rrëzon familjen shqiptare

Tiranë, 8 qershor, NOA – Gjykata e Tiranës ka hedhur poshtë padinë e familjes Brama, e cila kërkonte 200 mijë euro dëmshpërblim nga senatori zviceran, Dick Marti, pasi kishte përmendur shtëpinë e saj në raportin për trafikun e organeve gjatë luftës së Kosovës.

Lajmi i botuar në mediat serbe, pohon ndër të tjera se bëhet fjalë pikërisht për të ashtuquajturën shtëpi, ku aludohet seanëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vrarë serbë dhe organet e tyre i kanë vënë në dispozicion të tregtisë së paligjshme, gjithmonë sipas raportit të Dick Martit.

Ky i fundit, u publikua në janar dhe ngjalli mjaft reagime në selitë e Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe ato të Këshillit të Evropës.

Raporti citonte se një rrjet kriminal i drejtuar nga Hashim Thaçi është marrë me trafik organesh nga serbët e marrë peng, gjatë kohës së konfliktit Serbi-Kosovë.

Familja Brama, në fakt, e hapi këtë proces gjyqësor ndaj Martit, me pretendimin se i është cenuar reputacioni nga akuzat e ngritura prej tij.

Por gjykata kompetente në Tiranë, siç citohet nga mediat serbe, e paska hedhur poshtë kërkesën e saj, “për shkak se ajo ishte e paplotë, se nuk jepte ndonjë provë konkrete kundër Martit”.

Nga ana e saj, Serbia i ka propozuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vendosë ekspertë të pavarur dhe kompetentë që të hetojnë dhe zbulojnë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë në fund të viteve ‘90 në Kosovë dhe dy të ashtuquajturat "shtëpi të verdha" në Shqipëri.

n.e/NOA

KOMENTE