Tiranë, 8 qershor 2011, NOA – Duke kërkuar që sistemi i arsimit të lartë në vend të rendë pas cilësisë, kryeministri Sali Berisha kërkoi t’i jepet vëmendje e veçantë shkencave themelore të Matematikës, Fizikës dhe Gjuhës Shqipe.
Kryeministri gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë inkurajoi që të mbështeten e të nxiten studentët e talentuar në shkencat ekzakte që të përkryejnë njohuritë e tyre në shkallën më të lartë.
“Unë insistoj t’i japim një vëmendje të veçantë shkencave themelore, Matematikës dhe Fizikës, e të bëjmë gjithçka që më të mirët e këtyre shkencave të mbështeten e të nxiten, me qëllim që mësuesit e këtyre shkencave të kenë shkallën më të lartë të arsimimit”, tha shefi i qeverisë, duke theksuar se kjo nuk do të thotë që lëndët e tjera të mbeten jetime.
Sipas tij këto lëndë të shkencave themelore mund të mbeten jetime nëse nuk gjejnë mbështetjen e shtetit.
Gjithashtu kryeministri kërkoi të mbështetet edhe studimi i Gjuhës Shqipe, të cilën ai e cilësoi si një nga më të bukurat.
“Gjuha Shqipe është ndër gjuhët më të bukura që ekzistojnë, dhe është ndoshta shtylla kryesore e identitetit tonë kombëtar. Krahas përkujdesjes sonë për diversifikimin maksimal të degëve dhe nëndegëve për t’iu përshtatur tregut ne duhet të ruajmë dy lëndë themelore, Matematikën dhe Gjuhën Shqipe”, apeloi shefi i qeverisë.
Ai bëri me dije se këtë vit ka një rritje të kuotave për studentët shqiptarë nga Mali i Zi, lugina e Preshevës.
Këtu ai i bëri thirrje që të ketë procedurë të thjeshtësuar për hyrjen në universitet të studentëve që vijnë nga komuniteti rom e egjiptian, si dhe për kategoritë e personave me aftësi të kufizuara.
Kryeministri garantoi se nuk do të ketë rritje tarifash për hyrjen në universitet. Vijon...
mit/NOA