English

Ndërpriten kërkimet për të zhdukurin në liqen, zbardhet identiteti i tij, pronar lokali

Tiranë, 8 Qershor 2011 NOA Update – Forcat speciale palombare kanë ndërprerë kërkimet për shkak të errësirës, për një person që u zhduk në liqenin e Tujanit pasditen e sotme.

Burime zyrtare policore i thanë agjencisë NOA, se i zhdukuri rezulton të jetë Shkëlqim Canga, rreth 35 vjeç, me banim në Tiranë, pronar i një lokali në rrugën “Jordan Misja”.

Ngjarja ndodhi sot pasdite kur katër persona, shokë mes tyre, janë gjendur në situatë dramatike në liqenin Tujan në Tiranë dhe dyshohet se ka një viktimë mes tyre për shkak të mbytjes që besohet të ketë ndodhur.

Burime policore që kanë shkuar në vendngjarje i thanë agjencisë NOA se katër shokët kanë qenë duke drekuar në afërsi të liqenit Tujan në zonën e komunës Dajt në Tiranë.

Pas dreke ata kanë dashur të kridhen në ujë, por këtu ka nisur misteri sepse pak minuta më vonë, vetëm tre prej tyre kanë dalë në breg të liqenit.

Tre personat kanë dhënë alarmin duke kërkuar edhe ndihmën e policisë. Në vendngjarje shkuan disa palombarë të cilët nisën të bëjnë kërkime për të gjetur të katërtin e grupit të shokëve që kishin dalë për të drekuar.

e.t/NOA

KOMENTE