English

Nisin ofertat për qeverinë e re maqedonase

Shkup, 8 qershor 2011, NOA – VMRO-DPMNE dhe partia shqiptare BDI, që fituan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni kanë nisur ofertat e tyre për vendet në qeveri duke premtuar realizimin e platformave të tyre gjatë mandatit të qeverisjes.

Dy partitë e koalicionit të deritanishëm pritet të arrijnë marrëveshje për vazhdimin e bashkëqeverisjes pas këtyre zgjedhjeve dhe se gjatë ditëve në vijim pritet edhe firmosja e një marrëveshje partneriteti për mandatit e tyre të qeverisjes.

VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski me platformën “Manifesti për reforma dhe zhvillim” kryesisht është përqendruar në realizimin e projekteve dhe ndërmarrjen e masave ekonomike.

Përfaqësues të kësaj partie bëjnë me dije se plani ekonomik dhe projektet zhvillimore janë projektet bazë dhe prioritetet e qeverisjes së ardhshme.

Planifikohet edhe rritja e rrogave dhe ndihmave sociale për 21,3 përqind si dhe rritja e pensioneve për 30 përqind.

Përveç kësaj premtohet ulja e kontributeve sociale për 25 përqind.

Ndër masat e para janë lehtësimet fiskale që kanë për qëllim uljen dhe heqjen e disa tatimeve për bizneset e vogla dhe të mesme.

Gjatë këtij viti pritet fillimi i projektit që kompanitë e vogla dhe të mesme që kanë të ardhura vjetore deri në 3 milion denarë të lirohen nga pagesa e tatimit të fitimit.

Për bizneset më të mëdha që kanë të ardhura vjetore midis 3 dhe 6 milion denarë do të ekzistojë mundësia për zgjedhjen e tatimit. Opsionet janë 0 përqind tatim në rast të reinvestimit të të ardhurave si dhe tatim vjetor në shkallë prej 1 përqind.

Gjatë këtij viti menjëherë planifikohet ulja e shkallës së TVSH-së për turizëm, ulja e doganave për repromateriale për nevojat e industrisë vendore, ulja e të dhanave në bujqësi.

Ndër masat e tjera të planifikuara për katër vitet e ardhshme është projekti “Blej shtëpi, blej banesë”, ku mundësohet që qytetari me ndihmën e shtetit të ndërtoj shtëpi apo të blejë banesë.

Ky projekt pritet që të promovohet nga qeverisja e ardhshme, por nuk dihet se sa do të jetë efektiv.

Dirsa BDI në platformën e saj “Platforma për bashkim, zhvillim dhe integrim” fokusohet në realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe dhënien e një mesazhi të qartë rreth kësaj në shënimin e 10 vjetorit të saj që do të jetë në gusht të këtij viti.

Me theks të veçantë do të jetë realizimi i dispozitave kushtetuese për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, një zgjidhje e mirë dhe e qëndrueshme për përdorimin e simboleve eviton rrezikun për konflikte ndërmjet grupeve etnike.

Në planin politik, BDI kërkon që deri në fund të vitit të zhbllokohet procesi i integrimit të vendit në NATO dhe BE, ndërsa gjithashtu mbetet si kërkesë prioritare edhe mbyllja e rasteve të Hagës.

BDI ka theksuar se gjatë mandatit të ardhshëm ka për objektiv që të zbatojë obligimin kushtetues për përfaqësim të drejtë deri në shkallën e proporcionalitetit, sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë.

Po ashtu prioritet theksohen segmentet ku ka ngecur procesi i përfaqësimit të shqiptarëve nëpër disa institucione të vendit.

Në planin ekonomik theksohet angazhimi për integrim të ekonomisë së brendshme me qasje të drejtë dhe të barabartë në fondet publike, lirisë së biznesit dhe zhvillimit të

barabartë regjional.

Për shqiptarët siç thuhet, ky integrim ekonomik do të ofrojë qasje të barabartë në fondet publike, mundësi të barabarta për biznes dhe zhvillim regjional të barabartë brenda vendit.

Në platformën e kësaj partie janë nënvizuar edhe disa projekte infrastrukturore, ekonomike, arsimore dhe të shëndetësisë nëpër komunat dhe vendbanimet shqiptare. Gjithashtu platforma parasheh edhe forma të ndryshme sociale për zgjidhjen e statusit të UÇK-së, duke premtuar zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje.

Dy partitë e koalicionit të deritanishëm pritet të arrijnë marrëveshje për vazhdimin e bashkëqeverisjes pas këtyre zgjedhjeve dhe se gjatë ditëve në vijim pritet edhe firmosja e një marrëveshje partneriteti për mandatit e tyre të qeverisjes.

NOA/ INA

KOMENTE