Tiranë, 8 qershor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, dita nesër do të karakterizohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike. Që në orët e para të mëngjesit vranësirat do të jenë të pranishme në të gjithë territorin, por mesdita do të sjellë shtim të vranësirave duke rrezikuar të gjithë vendin nga shira te dobët dhe afat-shkurtër.
Pjesa e dytë e ditës do të dominohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash në zonat e ulëta dhe bregdetare ndërsa me vranësira dhe shira të dobët do të mbeten zonat malore të vendit. Të njëjtat kushte atmosferike do të na shoqërojnë gjatë natës deri mëngjesin e së premtes.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në mëngjes por mesdita do të sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave në vend.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 20 km/h dhe drejtim Jugperëndimor ndërsa dallgëzimi në Adriatik dhe në Jon do të mbetet i ulët.
Europa
Nesër, Europa Veriperëndimore dhe Qendrore do të dominohen nga kushte të paqëndrueshme atmosferike pasi vranësirat dhe shirat do të jenë dominuese në këto vende. Shira më të dendur do të bien në Skandinavi, vendet e Balltikut dhe Ishujt Britanikë. Gjithashtu vranësira, shira dhe stuhi të forta ere do të ketë në Europën jugperëndimore dhe zona e Alpeve. Përsa i përket Mesdheut dhe Ballkanit gjatë paradites do të ketë mot të kthjellët dhe temperatura të larta ndërsa pasditja do të sjellë shtim të vranësirave dhe për pasoje rrebeshe shiu në të gjithë këto rajone. Ndërsa Europa Lindore do të mbetet me mot të kthjellët dhe vranësira të lehta.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Ishujt Britanikë do të mbeten me shira intensiv
- Zona e Alpeve rrezikohet nga vranësira dhe shira
- Norvegjia alarmon për stuhi të forta ere dhe shira
a.y/NOA