English

Pas dorëheqjes së Imer Selmanit, liderët e tjerë humbës heshtin

Shkup, 8 qershor 2011, NOA - Pas dorëheqjes së Imer Selmanit nga kreu i Demokracisë së Re, për shkak të humbjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare liderët e partive të tjera humbëse të zgjedhjeve po heshtin në drejtim të marrjes së përgjegjësive.

Ka zëra brenda qarqeve politike se dorëheqja duhet të kërkohet edhe nga kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili humbi zgjedhjet në zonën gjashtë si lider i partisë.

Nga viti 2002, partia e Thaçit nuk ka fituar asnjëherë në zgjedhjet e organizuara, ndërsa radhiten një pas një edhe humbjet në njësinë e gjashtë zgjedhore, si njësi në tërësi.

Lideri i PDSH-së, një vit më parë ka premtuar se në rast se humb zgjedhjet dhe në rast se nuk gjen mbështetje platforma e tij politike, ai do t’i thotë lamtumirë politikës.

Por, një ditë më parë Thaçi e pa humbjen e partisë së tij tek përçarja e votës nga ana e partive më të vogla opozitare shqiptare.

Lideri i Bashkimit Demokratik Shqiptar (BDSH), Bardhyl Mahmuti ka pranuar përgjegjësinë për humbjen në këto zgjedhje, duke aluduar në rezultatin e arritur në këto zgjedhje, ndërsa ai deri tani nuk ka shpjeguar rrugëtimin e tij politik dhe të subjektit në të ardhmen.

BDK dhe PPD akoma nuk kanë dhënë shpjegime për humbjen e thellë dhe se krerët e këtyre partive nuk kanë folur për dështimin në zgjedhjet e 5 qershorit.

Partia e sapoformuar RDK jozyrtarisht vlerëson se rezultati i arritur ishte i papritur dhe se kjo parti planifikonte mbështetje më të madhe tek elektorati shqiptar. Burime pranë RDK pohojnë se do të analizojnë rezultatet në çdo zonë dhe strategjinë e bërë me kandidatët për deputet që nuk sollën rezultate.

Në kampin politik maqedonas, vetëm lideri i PLD-së, Jovan Manasievski ka dhënë dorëheqje nga kreu i partisë për shkak të humbjes në zgjedhje.

NOA/INA

KOMENTE