Nga Lulzim Basha
Dua të falenderoj edhe një herë të gjithë qytetarët e Tiranës të cilët bënë zërin e tyre të dëgjohet në këto zgjedhje dhe pritën me durim dhe respekt ndaj institucioneve funksionimin e procesit tonë zgjedhor. Dua të falenderoj gjithashtu të gjithë ata që me kontributin e tyre ndihmuan ta bëjnë këtë proces zgjedhor të drejtë, të lirë, transparent dhe të saktë. Çdo votë është numëruar dhe zëri i çdo qytetari është dëgjuar.
Gjatë gjithë këtij procesi, kam deklaruar dhe deklaroj se cilido qoftë verdikti përfundimtar i procesit, unë do ta pranoj atë. Në anën tjetër, kundërshtari im bëri zgjedhjen e tij për të mos njohur vendimet e Kolegjit Zgjedhor për arsyen e thjeshtë se këto vendime janë bazuar në ligj dhe jo tek interesat e tij politike. Unë besoj se numërimi i çdo vote është parimi më i drejtë dhe më i ligjshëm. Z. Rama nuk mendon kështu.
Nuk ka problem. Nuk është e thënë që të biem dakord për çdo gjë dhe kandidati tjetër ka të drejtë të përdorë cilindo mjet brenda sistemit tonë ligjor, qoftë kjo edhe nëse beson me të vërtetë se të mbysësh zërin e qytetarëve është e vetmja rrugë. Megjithatë, kur institucionet tona të pavarura, bashkërisht të pranuara, japin verdiktin përfundimtar, është detyra e të gjithëve ne të pranojmë këtë verdikt, sepse ligji qëndron mbi të gjithë ne.
Por rivali im ka zgjedhur një rrugë tjetër. Ai ka zgjedhur të ndërmarrë një hap të paprecedentë duke kërcënuar dhe duke i bërë presion Kolegjit Elektoral me anë të një letre publike dhe sot para ekranit. Është e papranueshme për cilëndo palë që të bëjë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor. Presioni ndaj Kolegjit Zgjedhor është një presion i mirëfilltë ndaj Drejtësisë. Të gjithë ne e dimë që vetëm një palë e ka bërë këtë, dhe motivet e Z. Rama për këtë flasin vetë.
Duhet ta kemi të qartë se çfarë vihet në pyetje këtu. A do të bëhemi një vend modern Europian i cili merr vendimet bazuar në shtetin ligjor, apo do të jemi një vend i cili merr vendime bazuar në kërcënimet për dhunë. A do të kemi një qytet që vazhdon të konsumohet nga betejat e lodhshme politike apo do të dëgjojmë zërin e qytetarëve. T’i themi mjaft më betejave politike, është koha për zgjidhje.
Në fund kjo ka të bëjë me demokracinë. Kandidati tjetër, në një orvatje për të përbaltur procesin pretendon se numërimi i çdo vote është barbari. Në themel të kushtetutës sonë dhe Kodit Zgjedhor bashkërisht të votuar, në themel të drejtave universale dhe lirive të njeriut, në themel të demokracive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian qëndron parimi i numërimit të çdo vote. Barbari është mosnumërimi i çdo vote.
Gjatë gjithë këtij procesi, bashkësia ndërkombëtare ka qenë e pranishme dhe ata kanë folur njëzëri duke i bërë thirrje të gjitha palëve të ndjekin institucionet ligjore, shtetin ligjor dhe të pranojnë rezultatet. Bashkësia ndërkombëtare ka qenë gjithashtu e qartë kur deklaron se dhuna dhe kërcënimet për dhunë nuk kanë vend në këtë proces. Askush nga Bashkësia Ndërkombëtare nuk i ka vënë në dyshim vendimet e Kolegjit Zgjedhor. I vetmi që e bën këtë është Z. Rama. Çdo votë është numëruar dhe zëri i çdo qytetari është dëgjuar. Nuk ka drejtësi më të madhe në një demokraci sesa kjo. Dhe ky është interesi më i mirë i vendit.