English

Berisha-Alomar: Bashkëpunimi me Shqipërinë, shembull i vërtetë suksesi

Tiranë, 9 qershor 2011, NOA- Kreu i qeverisë Sali Berisha gjatë ditës së sotme priti në një takim, Guvernatorin e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës, Raphael Alomar.

Guvernatori i kësaj banke ndodhet në Shqipëri me rastin e mbledhjes së 46-të vjetore të Bordit dhe Këshillit Administrativ të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB).

Gjatë bisedës mes tyre, Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Alomar për përzgjedhjen e Shqipërisë në zhvillimin e këtij aktiviteti madhor, si një mundësi e madhe për promovimin e zhvillimeve rrënjësore dhe progresit te arritur nga Shqipëria.

Më tej ai shprehu vlerësim dhe mirënjohje në intensifikimin e bashkëpunimit me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës dhe financimin e projekteve shumë të rëndësishme për Shqipërinë, me një shumë rreth 120 milion euro.

Guvernatori Alomar, theksoi se ndihej i impresionuar nga progresi i madh që ka arritur Shqipëria, gjatë këtyre viteve të fundit, kjo pas vizitës së bërë më herët në disa qytete të vendit.

Ai u shpreh se bashkëpunimi për zbatimin e projekteve te financuara nga Banka për Zhvillim e Këshillit te Europës është një shembull i vërtetë suksesi, duke shtuar se projektet e përzgjedhura për financim janë thelbësore për procesin e integrimit europian, si dhe të një rëndësie të veçantë për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.

Në vijim, Kryeministri Berisha bëri një panoramë të sektorëve të mbështetura me financime, te cilat janë të një prioriteti madhor për vendin, si arsimi, shëndetësia, zhvillimi rural, transporti, ku veçoi rëndësinë për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit, si dy fusha me potenciale të mëdha për zhvillimin ekonomik të vendit.

a.y/NOA

KOMENTE