Tiranë, 9 qershor 2011, NOA- Në ditën ndërkombëtare të akreditimit, zv.Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, mori pjesë në ceremoni e cila u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Bozdo tha se dita e sotme vjen si një komponent i një fushate ndërgjegjësuese për Sistemin e Cilësisë e Testimit, Metrologjisë dhe Standardeve në sajë të mbështetjes së projektit të Bankës Botërore mbi Fuqizimin Institucional dhe Reformën në fushën e biznesit.
Më tej ai vlerësoi se procesi i Akreditimit është Garant i Cilësisë, Sigurisë dhe Kompetencës Teknike.
“Qeveria shqiptare është impenjuar dhe po bën përpjekje për të vlerësuar maksimalisht rëndësinë e proceseve akredituese kredibël që janë të mbështetura në standardet e njohura ndërkombëtare”, deklaroi Bozdo, duke vënë theksin te marrëveshjet ndërmjet vendeve dhe rajoneve për pranimin e ndërsjellë të kërkesave, metodave të vlerësimit, rezultateve të inspektimit apo testimit, të cilat ndihmojnë në mënjanimin e barrierave teknike në tregti.
Sipas tij, këto barriera teknike do të thjeshtohen dhe do të kthehen në kërkesa rutinë për operatorët ekonomikë në momentin e parë që ato bashkëpunojnë dhe kuptojnë rëndësinë e organizmave vlerësues të konformitetit.
a.y/NOA